
Koreja e Veriut ka lëshuar dy raketa balistike në bregun lindore në detin e Japonisë. Lajmi është konfirmuar nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Koresë së Jugut.
Nga ana e saj, Japonia raportoi se një objekt u qëllua dhe se mund të ketë qenë një raketë balistike.
Kryeministri japonez, Yoshihide Suga, e ka quajtur nisjen "skandaloze" duke thënë se kërcënon paqen dhe sigurinë në rajon.
Ky është testi i dytë i armëve që Koreja e Veriut ka kryer këtë javë.
Nuk është e qartë saktësisht se ku ishin destinuar raketat ose distanca e tyre e fluturimit, por JCS tha se ushtria e saj po qëndronte në gatishmëri të plotë në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në.
Testet e raketave balistike bien ndesh me rezolutat e OKB-së, të krijuara për të frenuar aktivitetet bërthamore të Veriut.
Të hënën, Koreja e Veriut testoi një raketë lundrimi me rreze të gjatë të aftë për të goditur pjesën më të madhe të Japonisë, duke e quajtur atë "një armë strategjike me rëndësi të madhe".
Ekspertët thonë se raketa e lundrimit mund të mbajë një kokë bërthamore.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk e ndalon testimin e raketave lundruese, por konsideron se raketat balistike janë më kërcënuese, sepse ato mund të mbajnë ngarkesa më të mëdha dhe më të fuqishme, të kenë një distancë shumë më të gjatë dhe mund të udhëtojnë më shpejt.
Koreja e Veriut po përballet me mungesë ushqimi dhe një krizë të rëndë ekonomike, duke shkaktuar pyetje se si është ende në gjendje të zhvillojë armë.
Vendi ka kaluar më shumë se një vit në izolim. Ajo ndërpreu shumicën e tregtisë me aleatin e saj më të ngushtë Kinën, për të ndaluar përhapjen e koronavirusit.
Ministri i Jashtëm i Kinës po zhvillon bisedime me homologun e tij të Koresë së Jugut në Seul, të mërkurën.
Programi i armëve i Koresë së Veriut dhe negociatat e bllokuara mbi denuklearizimin ka të ngjarë të jenë në agjendë.
Në mars të këtij viti, Pheniani sfidoi sanksionet dhe testoi raketat balistike, të cilat shkaktuan një qortim të fortë nga SHBA-ja, Japonia dhe Koreja e Jugut.
Dhe muajin e kaluar agjencia atomike e OKB -së tha se Koreja e Veriut duket se ka rifilluar një reaktor i cili mund të prodhojë plutonium për armët bërthamore, duke e quajtur atë një zhvillim "thellësisht shqetësues". (A2 Televizion)