
Zyrtarë të lartë talebanë kanë bërë me dije për mediat e huaja se një përplasje e madhe ka shpërthyer midis udhëheqësve të talebanëve për përbërjen e qeverisë së re afgane.
Debati midis bashkëthemeluesit të grupit Mullah Abdul Ghani Baradar dhe një anëtari të kabinetit raportohet të ketë ndodhur në pallatin presidencial.
Një burim nga talebanët tha për BBC se Baradar dhe Khalil ur -Rahman Haqqani, ministër për refugjatët dhe një figurë e shquar brenda rrjetit militant Haqqani, kishin shkëmbyer fjalë të forta, ndërkohë që dhe ndjekësit e tyre u grindën me njëri-tjetrin.
Burimet thanë se debati shpërtheu pasi zv.kryeministri Baradar, ishte i pakënaqur me strukturën e qeverisë së përkohshme.
Talebanët morën kontrollin mbi Afganistanin muajin e kaluar dhe që atëherë e kanë shpallur vendin një "Emirat Islamik".
Kabineti i tyre i përkohshëm përbëhet nga figura të larta talebane, disa prej të cilëve janë të njohur për sulmet ndaj forcave amerikane gjatë dy dekadave të fundit. (A2 Televizion)