Kryeministri Edi Rama ka dhënë së fundmi një intervistë për të përditshme gjermane “Bild” ku është pyetur rreth situatës së pandemisë së koronavirusit, përballimin e saj dhe shtimit të rasteve të të infektuarve.
Kreu i qeverisë mohoi pretendimet e ngritura nga disa politikanë gjermanë se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit po ndikojnë në shtimin e rasteve të të infektuarve në Ballkan.
Sipas Edi Ramës, shtetet e Ballkanit nuk paraqesin kërcënim për Gjermaninë apo ndonjë tjetër në Bashkimin Europian.
“Unë nuk mendoj se shtetet e Ballkanit paraqesin kërcënim për Gjermaninë apo ndonjë tjetër në Bashkimin Europian, sepse në fund të fundit shifrat flasin vetë. Numrat e lartë janë për këdo një kërcënim. Por kur mendoj se Kina ka pesë raste sot dhe Shqipëria ka 100, atëherë ka diçka që nuk shkon. Dua të them që ka shumë lojëra në veprim me numrat. Ne kemi vendosur të jemi jashtëzakonisht transparent në këtë drejtim. Sigurisht, pas hapjes, u përballëm me një sfidë që ishte më e madhe, sepse ka të bëjë edhe me sjelljen e të gjithë qytetarëve.

Unë kam prirjen të mos pajtohem me këtë, jo sepse unë duhet të mbroj vendin tim, por për shkak të matematikës së thjeshtë. Është e pamundur për ne, për sa i përket numrave, që të jemi në gjendje për të ndikuar te një vend i madh si Gjermania apo shtete të tjera ballkanike të ndikojnë te Franca a vende të tjera të Europës. Dua të them që është më tepër politikë sesa realitet”, deklaroi Rama. (A2 Televizion)