
Prej 32 vitesh, Marsela Xhindi po bashkëjeton me diabetin. Këtë sëmundje prindërit ia zbuluan kur ishte vetëm 4 vjeç. Nga ajo ditë, kalvari i jetës së saj ka qenë i mundimshëm dhe me kosto të larta.
Marsela thotë se për personat diabetik nuk ofrohet shërbimi mjekësor i nevojshëm si dhe po u mohohet ndihma ekonomike: “Një diabetik ka nevojë për stripet ose fishat që rimbursoheshin deri në moshën 25-vjeçare. Por, pas moshës 25 vjeç, çfarë ndodh me ne? Jemi të pamonitoruar për fazën diabet. Që do të thotë se një diabetik ka nevojë për 6 stripe në ditë. Mos të harrojmë që kemi kohët e fundit edhe sistemin pilot që ka hyrë, dhe sistemi pilot do të thotë që ndihma ekonomike që një person me diabet merrte, sot po eliminohet për rrethin e Tiranës. Por, mos të harrojmë që mund të shtrihet edhe në rrethe të tjera”.
Si pjesë e kostove vjetore, Marsela duhet të llogarisë edhe rinovimin e patentës çdo dy vite. Këtë procedurë ajo thotë se e bën pa asnjë lehtësi në tarifa. Madje, për Marselën ka edhe një specifikë që nuk duhet të qarkullojë më tepër se 80 km/h: “Do t’i sugjeroja institucionit përkatës të na monitorojë, jemi dakord. Le të përsërisim testimet përkatëse, ama unë si person diabetik nuk kam pse të kem kosto çdo dy vite, është shumë”.
Kryetari i Shoqatës së Personave Diabetik, Asim Toro, thotë se për këtë kategori pacientësh çdo shërbim është privatizuar: “Ne më përpara merrnim 1/3 e shpenzimeve vjetore që shkonin deri në 3 milionë e 800 mijë. Tani është modernizuar me idenë që do të merren shërbimet në spitalet shtetërore. Kur shkojmë në shtet shohim që të gjithë laboratorët janë privatizuar dhe nuk jepet shërbim. Po ashtu, në spitale ka dhe mungesë medikamentesh që ne nuk i blejmë dot”.
Në vendin tonë janë rreth 75 mijë persona diabetik. Nga disa të dhëna, afro gjysma e tyre janë me insulinë. Përkatësisht, 100 pacientë të moshës 0-10 vjeç, 620 pacientë të moshës 11-25 vjeç, 217 pacientë të moshës 26-30 vjeç, 9000 pacientë të moshës 31-60 vjeç dhe 22 800 pacientë të moshës 61-80 vjeç.
Nëntori është muaji i sensibilizimit të personave diabetik të cilët për çdo vit kërkojnë më tepër mbështetje financiare për përballimin e sëmundjes së tyre. (A2 Televizion)