
Ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, është paraqitur sot në Gjykatën e Hagës, ku iu lexuan akuzat.
Pas leximit të tyre, Krasniqi tha shkurt: “Në aktakuzë po na quani ndërmarrje kriminale të përbashkët. Kurrë në jetën time nuk i kam trajtuar njerëzit ashtu siç më kanë trajtuar mua këtu, nga ndërtesa e burgut deri në ndërtesën e gjykatës. E ndjej veten më shumë se mirë dhe kurrë nuk do të doja të isha në petkun e atyre që kanë shpirt krimineli. Unë jam intelektual dhe e kam luftuar politikisht Serbinë dhe kurrë nuk e kam drejtuar gishtin me deklarata ndaj popullsisë civile, as serbe, as ndonjë tjetër”.
Më tej, Krasniqi tha: “Në aktakuzë i keni ndarë shqiptarët në katolikë dhe myslimanë. Unë nuk jam as katolik dhe as mysliman, unë jam shqiptar. Kjo për mua është fyese, është fyese edhe për vendin tim”. (A2 Televizion)