Zëvendësministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dhe Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Tonin Vocaj, vizituan ambientet e Njësisë Speciale për Kapjen e Personave në Kërkim. Njësia u prezantua javën e kaluar në Poloni, me synim aderimin në Rrjetin ENFAST, që është rrjeti europian për kapjen e personave në kërkim.
“Është njësia më e re speciale pranë Policisë së Shtetit, për identifikimin, gjurmimin e vendndodhjes dhe kapjen e personave më të rrezikshëm. Kjo njësi përbëhet nga dy komponentë, komponenti i Inteligjencës, i cili ka për detyrë të mbledhë informacionin, ka një pikë kontakti 24 orë në 7 ditë të javës dhe bashkëpunon intensivisht me agjencitë homologe në nivel europian; si dhe Njësia Operative e cila funksionon në shërbim të Njësisë Inteligjente, për bërjen të mundur të ekzekutimit të urdhrave të arrestimit të personave më të rrezikshëm, qofshin këta në kërkim kombëtar ose ndërkombëtar”, tha Lamallari.
Më tej, zëvendësministri theksoi se kjo njësi është e mirëtrajnuar plotëson të gjitha kushtet e parametrat e nevojshëm për të funksionuar si homologë të denjë të Njësive në vendet e Bashkimit Europian", tha zv.ministri Lamallari. (A2 Televizion)