
Kuvendi i Kosovës në një seancë maratonë pritet të votojë Ligjin për Specialen, i kthyer për rishqyrtim nga presidentja e Republikës. Por, paqartësitë për votat dhe shqetësimet kushtetuese e ndërkombëtare vazhdojnë ta shoqërojnë këtë proces.
Nëse të paktën 61 deputetë votojnë pro, vetoja rrëzohet dhe ligji konsiderohet i shpallur. Partia Demokratike e Kosovës, e cila e propozoi si ligjin, ashtu edhe kthimin në Kuvend nga presidentja, është zotuar se ndryshimet në të do të miratohen brenda dy javësh.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila e votoi ligjin më 6 tetor, pritet ta mbështesë edhe këtë herë, ndonëse ka shprehur rezerva për efektet e tij. Teksti i miratuar në tetor do t’ia ngushtonte kompetencat Gjykatës Speciale në Hagë. Ai e lidh juridiksionin e saj me veprat që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me pretendimet për trafikim organesh në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011. (A2 Televizion)