
“Ngjarja e sotme dhe shumë ngjarje që kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe, tregojnë që krimi ka marrë përmasa të mëdha që e kanë prurë vendin në një çmenduri sociale, jo vetëm për shkak të krimit, por edhe ndikimit, pasi shoqëria po fillon të mësohet me krimin”. Kështu e përkufizoi sociologu Gëzim Tushe ngjarjen e sotme në kryeqytet, ku babai i një vajze vrau ish-dhëndrin e tij në mes të ditës te Gjykata e Tiranës.
“Patologjia e krimit është një realitet social. Krimi, thonë francezët, po ballkanizohet. Do të thotë që rajoni i Ballkanit prodhon më shumë krim seç duhet. Krimi në shoqërinë shqiptare ka marrë përmasa të përbindshme. Të gjitha llojet e krimeve, është situatë shumë shqetësuese. Nuk janë pa shkak ngjarjet që ndodhin”.
Për sociologun e njohur dy janë rrugët për të parandaluar krimin; ndërgjegjja e brendshme dhe formimi qytetar si edhe frika nga ligji. Por Tushe nuk përjashton as politikën që ka favorizuar krimin me tejzgjatjen e reformës në drejtësi.
“Çfarë mund të bëjmë për ta parandaluar; e para është formimi qytetar dhe ndërgjegjja e brendshme që e kontrollon këtë njeri të mos bëhet kafshë, shtazët nuk kanë vend në shoqëri, ose të bëhen njerëz e qytetarë përmes edukimit. Dhe e dyta është frika nga ligji. Politika duhet ta mendojë që nuk është dorëjashtë në këtë gjë, por krimi në shoqërinë shqiptare kohët e fundit është ekzagjeruar e banal se një ndër arsyet është reforma në drejtësi që po zgjatet e stërgjatet dhe kriminelët kanë instikt të fortë, kur forca e shtetit bie, krimi zgjerohet. Vendi ka marrë rrugën e keqe dhe po dominon krimi. Krimit iu duhen thyer dhëmbët dhe këtë e bën shteti”.
Rritja e krimit në familje, thekson Tushe, ka ardhur si pasojë e humbjes së statusit të saj që është institucion i edukimit njerëzor.
“Pandemia është një faktor që ka pasur peshën e tij, por familja shqiptare ka kohë që ka humbur shumë nga statusi i saj i privilegjuar si institucion i edukimit njerëzor , kalimi nga tradicionale në moderne duhet të sillte tregues më të mirë, por ka ndodhur e kundërta. Ka mungesë të autoritetit prindëror që e kanë nxjerrë nga binarët, familja ka shumë probleme sot, divorcet, liberalizimi i adoleshenteve. Pjesa më e madhe krimit bëhen në familje. Vetë familja ka humbur statusin e saj. Duhet të shtojmë kujdesin për familjen. Ekonomia ka vendin e vet, por unë jam kundër përcaktimit të ekonomisë për këto probleme. Varfëria është një faktor madhor, kemi nivele të larta varfërie dhe krimi”.
Shqipëria numëron 9 të vrarë për 100 banorë, një shifër e lartë kjo referuar vendeve të tjera, për të cilën Tushe shprehet se shoqëria, po e konsideron dhunën si sukses.
“Ne e kemi 9 të vrarë për 100 banorë, është shumë e madhe. Jemi shoqëri intolerante, nuk pranojmë fajin, kemi sistem të vrazhdë komunikimi, kërkojmë me çdo kusht të mbushim mendjen dhe kundërshtimin e argumentit e kemi të papranueshëm. Shoqëria por e konsideron dhunën si sukses. Ne kemi nevojë për të edukuar brezin e ri, t’i bëjmë qytetarë”.
E gjithë kjo situatë ka një ndikim negativ te fëmijët, ku sërish Tushe sugjeron që familja dhe shkolla kanë një rol të rëndësishëm në edukimin e brezit të ri dhe pastaj shteti për ndëshkimin e krimit. Sipas tij familja është bërë vatra ku gëlon dhuna.
“Klima e përgjithshme sociale, nuk rrezatojnë një kornizë që ndikon pozitivisht te fëmijët. Kemi filluar t’i mësojmë që të bëhen të fortë e të sukesshëm me çdo kusht. Kemi nevojë për shumë gjëra të tjera. Ideja e suksesit me çdo kusht të çon në rrugë kriminale dhe sa më shumë të vazhdojë kjo rrugë aq më shumë do të rritet situata kriminale. Familja dhe shkolla janë së pari për edukimin dhe së dyti është shteti, për ndëshkimin e krimit. Familja është bërë vatra ku gëlon dhuna, në akte të dhunë janë të rinjtë, është shqetësim shumë i madh në shoqërinë tonë nëse nuk kemi familjen të disiplinuar nuk funksionojnë marrëdhëniet e demokratizuara brenda familjes, nëse fëmijët nuk respektojnë autoritetin e tyre dhe gjendja kaotike prodhon dhunë”.
Dhe duke u ndalur te rasti konkret i krimit të sotëm, Tushe thekson se pasojat te kjo familje do të jenë të mëdha. Ai apelon për ringritjen e shkollës dhe familjes për të parandaluar në vijim krime të tilla. Sipas tij duhet të punojmë me rrethanat që çojnë në krime të tilla.
“Rrënim i statusit ekonomik, krimet janë të shoqëruara jo vetëm me degradim, statusi i tyre është i cenuar nga fëmijë me nënë e babë ata mbetet jetimë sociale, bien menjëherë në varfëri, familjet që rriten në familje të dhunshme bëhen të dhunshëm. Arketipi i familjes nëse nuk është edukativ dhe fëmijët nuk rriten të tillë. Ata mund të bëjnë çdo gjë se janë të paarsimuar, mund të vrasin, të ngremë shkollën dhe familjen, unë jam partizan i tezës liberale, që janë rrethanat që prodhojnë krimin, është e kotë lufta me krimin nëse nuk merremi me rrethanat që e prodhojnë atë. Dhënia e drejtësisë në kohën e duhur frenon krimin. Një pjesë e këtyre grave që vriten janë më urdhra mbrojtjeje. Duhen marrë masa. Duhet të mendojmë më shumë për to. Shoqëria ka halle të tjera. Institucionet duhet të reagojnë ndryshe njerëzit do ikin dhe jo nga varfëria, por nga pasiguria e jetës në Shqipëri. Politika të frenojmë krimin”. (A2 Televizion)