Projektligji për barazinë gjinore, plan për më shumë se dy gjini në Shqipëri?

Nga Armend Pire
11 Shtator 2025, 19:40 | Sociale

Projekt-ligji i dorëzuar në Kuvend për barazinë gjinore në Shqipëri, po kthehet në një debat publik për shoqërinë. Përveç njohjes së të drejtave të burrave dhe grave në tërësi, në nenin 4, pika një, germa Ë, thuhet se “Gjini”, sipas këtij ligji ka kuptim gjithëpërfshirës në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore.

Për pastorin Akil Pano, kjo është një axhendë e sponsorizuar për indoktrinimin e fëmijëve, teksa kujton se administrata e dikurshme amerikane Biden–Harris, publikoi se kemi 66 gjini, duke përfshirë edhe ndjesinë e të qenurit katërputrak. 

“Këta synojnë me këtë ligj të ri, ku kanë emetuar termin gjini e shumëfishtë, synojnë xhenderizimin e fëmijëve tanë në shkolla. Natyrisht do të kenë induktim nëpërmjet organizatave LGBT të mbrojtura nga ky ligj. Përtej kësaj, trajnimi i psikologëve në shkolla që vijnë nga organizata LGBT, për të ndjekur axhendën e tyre dhe të bëjnë prozelit fëmijëve tanë”, tha pastori.

Ndryshimi i gjinisë është një e drejtë njerëzore sipas aktivistit Altin Hazizaj, i cili sjell në vëmendje rastin e burrneshave në Shqipëri. 

“I vdiq babai, burri, mori armën u bë burrnesh. Ja ku e ke rastin, çdo ti thuash asaj, nuk je? Gjinia formohet në mendjen tonë, është një koncept social. A dua të identifikohem unë si mashkull, si femër, apo pa gjini fare, kjo është e drejta ime. Projektligji që qeveria ka propozuar, dhe ne jemi konsultuar, pa diskutim është në mbështetje të plotë të të gjithë ligjeve që Shqipëria ka për sa i përket të drejtave të njeriut”, u shpreh aktivisti Hazizaj.

Edhe për Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi, koncepti i gjinisë duhet të jetë i lirë, me kushtin që mos t’u imponohet fëmijëve. 

“Edhe ligji për gjendjen civile e parashikon gjininë si të ndryshueshme, pavarsisht se nuk e detajon dhe prandaj çështja ka mbetur e paimplementuar. Çështjet gjinore, sa i përket ndryshimit të gjinisë dhe seksit, janë koncepte të cilat janë prej kohësh pjesë e shoqërisë sonë dhe sistemit tonë ligjor. Ligji për barazinë gjinore nuk mund të ishte indiferent ndaj këtij aspekti”, shtoi Robert Gajda.

Projekt-ligji pritet të kalojnë për miratim në Parlament me kontestime të forta të opozitës sipas së cilës ligji është një sponsorizim nga e majta me qëllim shkatërrimin e familjes tradicionale dhe cenimit të Kushtetutës.

Ndërkohë vëmendja e shoqërisë civile pritet të jetë te fëmijët veçanërisht ndaj nismave në shkolla që të mospërballen me pyetje të tilla si: çfarë ndihesh, djalë apo vajzë? (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos