Gazetari Bledian Koka, i ftuar në emisionin Off the Record të Andrea Danglli, komentoi qeverinë e re Rama 4, të prezantuar këtë të enjte nga kryeministri Edi Rama.
Sipas Kokës, përzgjedhja e ministrave është një sfidë e rrezikshme politike. “Kjo ishte një sfidë shumë e fortë dhe e rrezikshme që Rama bëri. Më shumë sesa emrat e qeverisë, problemi është se nuk u dha asnjë shpjegim pse u larguan ministrat dhe pse u vendosën këta të rinj. Në një parti normale, kërkohet llogari. Sot, nëse bën një analizë, rezulton se brenda PS nuk ka asnjë socialist,” tha Koka.
Ai e cilësoi kabinetin e ri si një “qeveri klienteliste” pa asnjë figurë politike reale. “E vetmja është Belinda Balluku, por edhe ajo nuk ka ndonjë peshë politike. Të gjithë të tjerët janë aty për të firmosur çfarë u kërkon Rama. Në parlament, thjesht cicërojnë aksiomat e tij,” theksoi gazetari.
Koka shtoi se Rama vendosi të riformatojë parlamentin, por kjo gjë duhet bërë brenda parlamentit. (A2 Televizion)