
Theresa May nuk e do shtyrjen e Brexit, e megjithatë përballë kërcënimit për revoltë nga ana e ministrave që mbështesin qëndrimin në union, bën një hap prapa.
Shefja e Ekzekutivit britanik u tha të martën ligjvënësve se do t’u mundësojë atyre një votim për shtyrjen e datës zyrtare të shkëputjes nga Bruskeli, nëse ata do të refuzojnë ujdinë e saj muajin e ardhshëm. Kryeministrja njoftoi një ditë më herët se në 12 mars deputetët do të votonin për ujdinë e rishikuar me Brukselin. Nëse ajo do të refuzohet sërish, ligjvënësit do të kenë dy opsione.
“Nëse qeveria nuk do ta fitojë mbështetjen e Dhomës së Komunëve, në 13 mars do të votohet një mocion ku deputetët do të pyeten nëse e mbështesin shkëputjen pa një marrëveshje në 29 mars. Nëse edhe kjo mundësi do të refuzohet, në 14 mars do të parashtrohet një mocion tjetër për zgjatjen e afatit të Brexit”, tha May.
Gjithsesi, May e bëri edhe një herë të qartë se nuk e do shtyrjen e Brexit, pasi kjo do të nënkuptonte që Britania të merrte pjesë në zgjedhjet e Parlamentit Europian. Lideri i opozitës, Jeremy Corbyn e akuzoi kryeministren se po përpiqej ta bënte edhe më të rrëmujshëm procesin e Brexit.
“Kryeministrja vazhdon të thotë; ose marrëveshjen time ose divorc pa ujdi. Por Dhoma e Komunëve e ka refuzuar marrëveshjen e saj dhe gjithashtu mundësinë e shkëputjes pa ujdi. Është kokëfortësia e kryeministres që po bllokon zgjidhjen”, tha Jeremy Corbyn, lider i opozitës. (A2 Televizion)