
Rritja e çmimeve të energjisë dhe produkteve të shportës është komentuar në “Debat” dhe eksperti i Ekonomisë, Zef Preçi dhe ish-drejtori juridik i ERE, Eduard Elezi.
Sipas Preçit, rritja e çmimeve të shportës vjen si pasojë e politikave të gabuara të qeverisë, e cila bazohet shumë tek importi i drithërave nga Rusia.
Preçi deklaroi se kjo krizë duhet të shtyjë qeverinë të rishikojë politikat për të nxitur prodhimin vendas dhe për të shtuar sipërfaqet e mbjella.
“Kur flasim për mallrat e shportës, për fat të keq për shkak të dështimeve në politikat agrare jemi në një situatë kur kushtëzohemi dukshëm nga importi. Dhe nëse kryeministri deklaron se Rusia ka vendosur një taksë për drithërat që eksportohet nga ky vend, kjo duhet të lexohet sepse fjala krizë ka dhe anë tjetër që janë mundësitë. Kjo duhet të lexohet si nevojë për të rishikuar politikat që ndiqen për të stimuluar sipërfaqen e mbjellë me grurë dhe për të nxitur prodhimin vendas në tërësi”, tha Preçi.
Për sa i përket krizës energjetike të paralajmëruar para disa ditësh nga kryeministri Rama, ish-drejtori Juridik i ERE, Eduard Elezi mohoi të ketë diçka të tillë.
Elezi deklaron se në këtë periudhë të vitit ka gjithnjë rritje të energjisë në bursa dhe shtoi se situate e krijuar ka ardhur si pasojë e mosmenaxhimit si duhet e kaskadës së Drinit.
“Kjo nuk është një krizë energjetike, sepse energji ka. Ky rajon është, ato prodhim kanë. Ky është një cikël që ndodh në bursa. Gjithmonë në këtë periudhë, në fund të muajit nëntor ka pasur rritje të çmimit të energjisë elektrike. Ndaj dhe kaskada e Drinit menaxhohej me shumë kujdes, nuk u zbrazte brenda një muaji e gjysmë, por u menaxhonte me kujdes që kostot të ishin të përballueshme. Por mesa shifet është tharë i gjithë liqeni në Fierzë dhe prodhimi vendas është pothuajse në zero”, tha ish-drejtori juridik i ERE, Eduard Elezi. (A2 Televizion)