
Udhëtoi vetë për në pikën më të nxehtë kufitare, nga ku buron kriza me emigrantët e paligjshëm. Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, paralajmëroi se vendi i tij është nën kërcënim dhe nuk i kurseu akuzat ndaj Bjellorusisë se po orkestron këtë valë emigracioni.
“Po e shohim se situata sa vjen e tensionohet, por rezistenca jonë është e fortë. Kështu përballesh me këtë situatë, me ushtarë dhe policë. Do të bëj gjithçka për qytetarët tanë dhe për ju, duke ua sjellë në vëmendje aleatëve tanë transatlantike dhe të Europës perëndimore rrezikun me të cilin përballemi, që të shmangim më të keqen që mund të na presë”, deklaroi kryeministri polak.
Një koment të ngjashëm, kryeministri polak e bëri edhe gjatë një takimi me homologët e tij nga shtetet baltike. Bashkimi Europian akuzon Bjellorusinë se po fabrikon një krizë në kufijtë e saj duke nxitur mijëra njerëz të fluturojnë nga Lindja e Mesme, që më pas të kalojnë në vende si Polonia, Lituania dhe Letonia. Mendohet se kjo sjellje e Minskut vjen në kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të Brukselit.
“Do të bëjmë gjithçka në këtë betejë kufitare, le ta quajmë kështu qoftë edhe simbolikisht, e cila pjesërisht është pjesë e një lufte hibride”, vijoi Morawiecki.
Megjithatë, Bjellorusia mohon të ketë nxitur krizën me emigrantët. Presidenti, Aleksander Lukashenko, thotë se po pret përgjigje nga BE-ja nëse do të pranojë 2 mijë emigrantë. Gjithashtu, lëshoi kritika ndaj Brukselit se nuk pranon të bisedojë për situatën e krijuar në pikat kufitare. (A2 Televizion)