Kriza nga koronavirusi, FSHF miraton paketën financiare

Nga A2 CNN
9 Prill 2020, 17:22 | Futboll
Kriza nga koronavirusi, FSHF miraton paketën financiare

Një paketë ndihme financiare për të gjithë të punësuarit në futboll në këto momente krize shëndetësore dhe ekonomike, pas ndërprerjes së aktiviteteve për shkak të koronavirusit.

Pas refuzimit të qeverisë për të garantuar një fond, Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) miratoi me urgjencë ndihmën, sipas të cilës, çdo sportist, trajner apo i punësuar në klub do të përfitojë 30 mijë lekë të reja.

“Kjo paketë financiare parashikon dhënien e një shpërblimi, rroge, apo ndihme financiare, siç mund të quhet, për një periudhë 1-mujore nga 15 marsi deri në 15 prill, në mënyrë të barabartë me një pagesë prej 30 mijë lekësh të rinj. Nëse nuk do të rikthehemi pas 15 prillit, e njëjta paketë do të përsëritet. Kemi qenë të pasuksesshëm për të bindur qeverinë deri më sot. Në këto kushte, Komiteti Ekzekutiv i Federatës ka vendosur të miratojë një paketë financiare në ndihmë të futbollistëve, trajnerëve, arbitrave dhe gjithkujt që është i punësuar në futboll dhe që nuk ka mundësi të ketë një pagë tjetër nga një burim tjetër shtetëror”.

Bëhet fjalë për një fond me vlerë afro një milion euro për dy muaj, me kreun e FSHF-së që zbuloi edhe nga u siguruan paratë, ku spikat solidarizimi i trajnerit Edy Reja dhe të gjithë stafit kuqezi: “Burimi financiar i kësaj pakete është kontributi i vetë administratës së Federatës, kontributi i stafit të ekipit kombëtar, duke filluar nga trajneri i ekipit kombëtar Edi Reja. Të gjithë pagat e larta në federatë kanë shprehur solidaritetin për t’i përgjysmuar që të plotësojmë këtë buxhet dhe do të merret një kredi financiare, sepse, siç dihet, kjo është diçka e paparashikuar në buxhetin tonë. Pra, edhe një kredi financiare të cilën ne mendojmë ta mbulojmë në buxhetin e vitit të ardhshëm”.

Vetëm në Kategorinë Superiore dhe Kategorinë e Parë e të Dytë janë mbi 1700 futbollistë e trajnerë që përfitojnë. Aty u shtohen edhe qindra të punësuar në klube, apo edhe trajnerët e skuadrave të moshave në të gjitha nivelet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos