
Thuajse çdo javë, një nga bankat qendrore të botës po vijon të rrisë normat e interesit. Ajo që për më shumë se 10 vjet ishte një zhvillim i rrallë, sot është kthyer në një lajm të zakonshëm, duke rënduar buxhetet e qytetarëve dhe sipërmarrjeve.
Mirëpo Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se politika monetare shtrënguese nuk do të vijojë për shumë kohë. Produktiviteti i ulët dhe plakja e popullsisë, veçanërisht në vendet e zhvilluara do të rikthejë interesat bankare në nivelet e para pandemisë. Po në Shqipëri, çfarë pritet të ndodhë?
“Fuqia blerëse është amortizuar nga normat e interesit. Kjo detyron që kreditimi të ulet. Te ne rikthimi i normave të ulëta të interesit do të marrë pak më shumë kohë. Ndoshta në 3-4 vite do të kemi kthim në nivelet e para pandemisë.”
Eugen Musta, pedagog, ekspert ekonomie
Periudha më e gjatë kohore që do i duhet Shqipërisë për të pasur norma interesi për lekun në nivelet e para pandemisë lidhet edhe me politikat e qeverisë për rritjen e pagave.
“Sigurisht që ku pagat rriten, shtohet aftësia blerëse. Kjo ndikon te konsumi e rrjedhimisht te inflacioni e normat e interesit. Pra do na duhet edhe ca kohë që Banak E Shqipërisë të kalojë në kahun lehtësues të normave të interesit.”
Eugen Musta, pedagog, ekspert ekonomie
Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni në vend të vijojë të bjerë gradualisht për t’u rikthyer në objektivin 3 për qind në fillim të vitit 2025. Rrjedhimisht kjo do të çonte në ulje të normave të interesit për lekun. (A2 Televizion)