"Lufta" pa fitues me qeset: Dyshime për prodhim kontrabandë, vetëm 8 gjoba në 9 muaj

Nga A2 CNN
12 Prill 2023, 15:28 | Ekonomi
"Lufta" pa fitues me qeset: Dyshime për prodhim kontrabandë,

Pasi nuk arriti të ishte vendi i parë në Europë pa qese plastike, Shqipëria po rrezikon të humbasë edhe betejën me heqjen nga përdorimi të atyre një përdorimshme. Gati një vit nga hyrja në fuqi e ligjit, të prodhuara ilegalisht apo hyrë kontrabandë, ato i gjen në thuajse çdo tezgë ky shiten kryesisht fruta e perime.

 “Në ato takimet e para kishte ca pretendime nga prodhuesit se mund të kenë ardhur kontrabandë, por vëmë re që prania e qeseve nuk e justifikon këtë argument. Ndaj u kemi dërguar sërish prodhuesve një shkresë ku kemi specifikuar përmbajtjen e VKM-së,” shprehet Almira Xhembulla, zv/ministre e Turizmit dhe Mjedisit.

Por këto argumente kundërshtohen nga Shoqata Konvertuese e Plastikës.

“Kërkojnë që ta gjejnë problemin te prodhuesit e paligjshëm apo te importuesit që e sjellin kontrabandë. Ndërkohë ne themi se patjetër që ky target duhet ndjekur, duhet shënjestruar, por ekziston kërkesa, lejohen ato pa kemi këto raste që prodhues të ndryshëm marrin përsipër rrezikun e shkeljes së ligjit apo një pjesë e importuesve që bëjnë kontrabandë,” thotë Vullnet Haka, Kryetar i Shoqatës Konvertuese të Plastikës.

Prej qershorit të vitit të shkuar janë ndaluar qeset plastike një përdorimshme, por ato vijojnë të gjenden lehtësisht. Institucionet ndërkohë kanë zbuluar vetëm tetë raste abuzive në mbi 9 muaj.

E në një kohë që “lufta” me qeset po rezulton ende pa fitues, paradoksalisht vendi po rrit importet e plastikës nga jashtë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos