Parashikimi i FMN, ekonomia shqiptare do të rritet më pak nga sa pritej këtë vit

Nga A2 CNN
11 Prill 2023, 19:21 | Ekonomi
Parashikimi i FMN, ekonomia shqiptare do të rritet më pak nga sa

Ekonomia shqiptare pritet të zgjerohet më pak nga sa pritej. 

Në raportin “Perspektiva Ekonomike Botërore”, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ulur në 2.2 nga 2.5 për qind në tetorin e vitit të shkuar parashikimet për rritjen ekonomike.

FMN vlerëson se nivelet ende të larta të inflacionit, rënia e konsumit e mbi të gjitha modeli i prapambetur ekonomik e bëjnë edhe më të vështirë rimëkëmbjen.

“Shqipëria ka nevojë për një tjetër model ekonomik, të orientuar drejt teknologjisë dhe së gjelbrës. Vetëm kështu do mund të përballojë sfidat e brendshme dhe ato gjeopolitike. Këtu spunton edhe FMN”, shprehet eksperti Mikel Qafa.

Ekonomia vendase pritet të përshpejtohet në 3.3 për qind ë vitin 2024 e të mbesë përafërsisht në këto nivele deri në 2025-n, vit për të cilin parashikimi i FMN nuk shkon më shumë se 3.4 për qind.

Paralajmërimi për inflacion në nivelin 3.9 për qind edhe pse mbi objektiv mbetet ndjeshëm më i ulët nga sa është aktualisht. Për këtë FMN kërkon mbrojtje të shtresave në nevojë dhe reforma.

“Reformat janë kurdoherë të mirëpritura. Është pak e vështirë që Shqipëria t’i ndërmarrë aktualisht. Kjo për shkak të fushatës elektorale. Tani qeverisë i duhet më shumë të vizualitet se përmbajtje”, shtoi Qafa.

Sipas FMN, Kosova dhe Mali i Zi janë dy shtetet që pritet të kenë ecurinë më të mirë ekonomike në 2023 në Rajon, me 3.5 dhe 3.2 për qind. Serbia dhe Bosnjë Hercegovina do të zgjerohen me 2 për qind, ndërsa për Maqedoninë e Veriut pritshmëritë janë mjaft pesimiste, me vetëm 1.4 për qind. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos