
Ekipi i Kukësit do të luajë këtë të enjte në stadiumin “Air Albania” me Slavian e Sofiës, ndeshjen e vlefshme për turin e parë kualifikues në Europa League.
Verilindorët i janë nënshtruar dje testeve për Covid-19, dhe fatmirësisht kanë rezultuar të gjithë negativë, si stafi ashtu edhe lojtarët.
Tanimë vëmendja e ekipit do të jetë në fushë. Presidenti i nderit, Safet Gjici, është shprehur se klubi i ka marrë të gjitha masat për ndeshjen dhe zbatimin e protokollit të sigurisë shëndetësore, që është një kusht i panegociushem me UEFA-n.
Ndërsa për sa i takon takimit, Gjici ka vlerësuar ekipin bullgar, ndërkohë që shpreson se Kukësi do të vijojë traditën duke e kaluar këtë tur.
“Pa diskutim që është ekip i fortë, shumë i fortë, megjithatë ne kemi detyrim të kalojmë turnin. Kam bindje duke parë stafin dhe trajnerin e ri, por edhe me blerjet e reja, që kanë rezultuar të mira”, thotë Gjici.
Aktualisht ekipi i Kukësit po qëndron i grumbulluar në qytetin e Elbasanit, deri pasditen e së enjtes kur do të niset drejt Tiranës. (A2 Televizion)