
Partizani i basketbollit të meshkujve siguroi kualifikimin në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë teksa mposhti mes vuajtjesh Elbasanin.
Në duelin e zhvilluar në pallatin e sportit ‘’Asllan Rusi”, të kuqtë triumfuan me shifrat 100-91 në një ndeshje të ekuilibruar dhe të luftuar nga të dyja skuadrat. Miqtë nga Elbasani e nisën më mirë dhe perioda e parë u mbyll me rezultatin 24-27.
Një ritëm i lartë djemve elbasanas bëri që dy ekipet të shkonin në pushim me shifrat 51-57. Vendasit reaguan vetëm në periodën e tretë, ku erdhi dhe përmbysja e madhe.
Skuadra e Erdal Borovës kaloi në avantazh me 10 pikë diferencë, ndërsa në fund gjithçka u mbyll me shifrat 100-91.
Për trajnerin e Elbasanit Fabjan Gjuka, mungesat e shumë prej lojtarëve titullar ndikuan jo pak në lojën e skuadrës.
Nga ana tjetër, më i miri i parketit për skuadrën e Partizanit, Skerdi Jareci, u shpreh se loja nuk ishte ashtu siç ata e kishin përgatitur. Kjo dhe për shkak të kushteve të vështira në të cilë kjo ndeshje u zhvillua.
Në çerekfinale Partizani do të luajë me Teutën, Besëlidhja me Flamurtarin dhe Kamza me Vllazninë, ndeshje këto të programuara më 20 janar. (A2 Televizion)