
Analisti Afrim Krasniqi komentoi në “Absolut 4” intervistën e kryesueses së misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve, Ursula Gacek gjatë së cilës ajo tregoi dhe për mungesën e vëzhguesve afatshkurtër në këto zgjedhje, për shkak të pandemisë së koronavirusit.
Sipas Krasniqit, OSBE duhet të përfshijë në raportin e tij për këto zgjedhje dhe elementë shtesë të si çështja e dekriminalizimit dhe shtoi se misioni nuk duhet të jetë burokratik pasi shqiptarët kanë nevojë për ndërkombëtarë që tregojnë “vijën e kuqe” që nuk duhet kaluar.
"Ajo që më bëri përshtypje në deklaratën e kryetares së misionit ishte një zhgënjim personal. Nga ajo që pashë ishte një deklaratë burokratike. Shqipëria ka nevojë jetike për të pasur standardet më të mira zgjedhore dhe nëse vazhdojmë kthehemi një hap pas dhe një hap përpara nuk kemi mësuar asgjë nga tranzicioni dhe nuk kemi arritur asgjë me këto zgjedhje.
Sfida jonë në këto zgjedhje është të merresh me problemet themelore që shqetësojë sistemin zgjedhor dhe problematikën që është cilësia e përfaqësimit dhe konkurrenca e lirë dhe mundësia e administrimit korrekt të votës. Dhe janë 3 elementë të cilët nëse i marrim në mënyrë të detajuar edhe në raportet e mëparshme nuk janë trajtuar sepse nuk i kanë pasur objekt të punës. Dekriminalizimi është një prej tyre. Duhet të ketë një fokus për të. Mu duk më shumë një mision diplomatik. Në praktikën tonë shqiptare ne jemi mësuar, po nuk fole direkt dhe nuk i adresove direkt problematikat, aktorët politikë janë mjeshtër në manipulimet zgjedhore dhe ne duam një ndërkombëtar që të tregojë vijën e kuqe", tha Krasniqi. (A2 Televizion)