Kushi: 4,51% e GDP i është kushtuar arsimit. Rritje 15% e pagës për mësuesit

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2020, 11:50 | Sociale
Kushi: 4,51% e GDP i është kushtuar arsimit. Rritje 15% e pagës

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, tha se në buxhetin e shtetit për vitin 2021, 4,51% e GDP i është kushtuar arsimit, duke e quajtur këtë një arritje të qeverisë. Në shifra konkrete, Kushi tha se arsimi do të përfitojë 75,8 miliardë lekë nga buxheti i vitit 2021, një rritje e ndjeshme krahasuar me vitin 2013, kur arsimit i ishin kushtuar 41,1 miliardë lekë nga buxheti.

Ministrja tha gjithashtu se nga kjo rritje e fondeve për arsimin do të përfitonin mësuesit, për të cilët është parashikuar një rritje e pagës me 15% në vitin 2021. “Kjo është pak për sakrificën që ata po bëjnë këtë vit”, tha ministrja. Rritja e buxhetit për arsimin, deri në nivelin 5% të GDP ishte një prej kërkesave të studentëve gjatë protestave të fundvitit 2018 dhe vitit 2019.

Ministrja tha se “Pakti për Universitetin” mbetet një prioritet. “Pavarësisht problematikave nga tërmeti, apo pandemia, i qëndrojmë angazhimeve që kemi marrë. 85 nxënës ekselentë janë punësuar përmes programit kombëtar të praktikave të punësimit”, tha Kushi. “Bursat janë element i rëndësishëm për paktin e universitetit dhe për ata që vijnë nga familje në nevojë, fondi i ekselencës është katërfishuar nga viti 2013 deri më sot, është 200 milionë lekë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos