Edhe pse Komiteti Teknik i Ekspertëve për pandeminë vendosi të shtyjë fashën orare nga 22:00 deri në 23:00 për lejimin e muzikës, sërish bizneset në Vlorë kanë protestuar për lehtësimin e mëtejshëm të masave.
Në shenjë proteste, ata vendosën të mbyllnin gjithçka përgjatë Lungomares, duke i vendosur shiritat lokaleve, të cilëve u kishin fikur edhe dritat, ndërsa kanë vendosur qirinj në hyrje.
Ata kanë thënë se do të përshkallëzojnë protestën në qoftë se nuk do të merren parasysh kërkesat e tyre. Dy kërkesat kryesore janë shtimi i fashës së orarit dhe funksionimit të bareve dhe reduktimin e prezencës policore në ambientet e shërbimit.
Ndërkohë, pushuesit e shumtë, vendas por edhe të huaj e kanë pasur të vështirë, jo vetëm për të kaluar një ditë normale pushimi, por madje kanë pasur vështirësi për të ngrënë.
Një turist i huaj u shpreh për A2 se situata nuk është aspak normale dhe se ai nuk kishte pasur mundësi të drekonte. (A2 Televizion)