Lushnja drejtohet nga burgu. Kryebashkiaku Tushe ruan mandatin deri në vendimin e gjykatës

Nga A2 CNN
6 Korrik 2021, 14:48 | Politikë
Lushnja drejtohet nga burgu. Kryebashkiaku Tushe ruan mandatin deri në

Pavarësisht se kryebashkiaku i Lushnjës ra në rrjetën e SPAK, Fatos Tushe do të vijojë të gëzojë mandatin e të zgjedhurit vendor. Nëse nuk zgjedh të largohet me vullnetin e tij, duke dhënë dorëheqjen, për të ndërprerë mandatin e Tushes nevojitet një vendim i formës së prerë nga Gjykata ose shkarkimi i tij nga Këshilli i Ministrave.

Fatos Tushe do të vijojë të gëzojë mandatin e kryebashkiakut të Lushnjës. Ligji për vetëqeverisjen vendore parashikon se një kryetar bashkie humbet mandatin vetëm pasi ai të jetë dënuar penalisht me vendim të formës së prerë, pra nga shkalla e dytë e gjyqësorit, çka do të thotë se SPAK nuk ia ka hequr spaletat e qytetarit të parë të Lushnjës.

“Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata”, lexohet në ligj. 

https://a2news.com/2021/07/06/arrestimi-i-kryebashkiakut-te-lushnjes-akuzohet-per-abuzim-ne-tenderin-e-kanalizimeve-me-vlere-24-milione-leke/

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese kundër kryeministrit Edi Rama në lidhje me shkarkimin e ish-kryebashkiakut të Vaut të Dejës, që u cilësua si antikushtetues, duket se vështirëson akoma më shumë lëvizjet e ekzekutivit për largimin para kohe të Fatos Tushes nga detyra. 

Precendenti i Xhelal Mziut gjithashtu është në favor të kryebashkiakut të Lushnjës. Në 2013, kreu i Bashkisë së Kamzës u ndalua për abuzim me tendera, që prokuroria i provoi në Gjykatën e Shkallës së Parë, ku Mziu u dënua me dy vjet burg. Por, Apeli në 2016 e shpalli të pafajshëm, ndërsa gjatë këtyre viteve Kamza u drejtua nga i njëjti person.

Varianti i dytë për ndërprerjen e mandatit është propozimi për shkarkim nga Këshilli Bashkiak, për të cilin duhet të pritet të paktën tre muaj: “Kryetari i bashkisë shkarkohet me vendim të Këshillit të Ministrave në rastet kur propozohet për shkarkim nga Këshilli Bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”. 

Veç rasteve të shkarkimit, ligji parashikon edhe atë të dorëheqjes dhe mbetet për të parë nëse Tushe do ta vijojë betejën ligjore në kërkim të pafajësisë pa mandatin e kryetarit të Bashkisë së Lushnjës apo do të vijojë ta ushtrojë pavarësisht se ra në rrjetën e SPAK.  (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/07/06/emrat-dhe-akuzat-per-te-gjithe-te-arrestuarit-ne-bashkine-e-lushnjes-mes-tyre-edhe-administratoret-e-dy-kompanive/?utm_source=a2-related&utm_source=a2news&utm_campaign=general

A2 CNN Livestream

Latest Videos