Masakër në sallën e lojërave, 9 të vdekur në Meksikë, mes tyre 4 të mitur

Nga A2 CNN
7 Shkurt 2020, 15:20 | Bota

Të paktën 9 persona kanë vdekur, mes tyre 4 të mitur, ndërsa 2 të tjerë janë plagosur në një sallë lojërash elektronike në Meksikë.

Masakra ndodhi në Uruapan, një qytet në shtetin Miçoakan, të hënën e kaluar, sipas Prokurorisë. 4 persona u futën brenda sallës dhe pasi bënë disa pyetje nisën të qëllonin me armë ushtarake. Të paktën 4 prej viktimave janë të moshës 12-17 vjeç. Autoritetet thanë se kishin mbledhur 65 gëzhoja të një arme me kalibër 9mm.

Uruapan, një qytet me rreth 250 mijë banorë, ka qenë edhe më parë shesh beteje i karteleve të drogës.

Në vitin 2013, trupat e 7 personave të vrarë u hodhën në mes të sheshit kryesor të qytetit, ndërsa mbi trupat e tyre ishin ngulur letra me mesazhe të ndryshme. Ndërsa në vitin 2006, anëtarë të kartelit të drogës “La Familia Michoacana” hodhën në mesin e një piste vallëzimi pesë koka të prera të anëtarëve të një bande rivale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos