Vijon situata e rënduar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Që në orët e para të mëngjesit të së dielës është plotësuar kuota prej 300 personash që kanë kaluar kufirin në drejtim të shtetit grek.
Kjo ka bërë që pala greke të mbyllë sërish kufirin, duke lënë shumë shtetas shqiptarë që të presin në kufi.
“Njoftojmë të gjithë qytetarët që janë të interesuar të kalojnë në drejtim të shtetit grek, se aktualisht kuota prej 300 shtetas është plotësuar dhe nga ana e policisë greke është pezulluar puna e nuk do të lejohet kalimi i personave të tjerë për ditën e sotme. Policia Kufitare apelon për qytetarët që duan të udhëtojnë në drejtim të Greqisë, që të mos vijojnë udhëtimin në drejtim të PKK Kapshticë për ditën e sotme”, thuhet në një njoftim të drejtorisë Vendore e Kufirit dhe Migracionit Korçë.
Kjo situatë vazhdon prej ditësh, ndërsa numri i qytetarëve që presin të kalojnë kufirin është i madh. Një ditë më parë u krijua edhe një varg automjetesh prej 2 kilometrash. (A2 Televizion)