
Prej 5 ditësh tashmë, vendi është përfshirë nga përmbytjet, të përqendruara kryesisht në zonën e Nënshkodrës dhe Lezhës. Obot, Oblik, Dajç janë fshatrat që nuk kanë shpëtuar edhe këtë vit nga përmbytjet. Me dhjetëra familje janë të izoluara, teksa ka dëme në rrugë, ura dhe toka bujqësore. A rrezikojnë që këto përmbytje të jenë kriza e radhës për ekonominë dhe buxhetin?
Në A2 Business Week, kreu i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako, u shpreh: “Jemi në një situatë optimale aktualisht, po nisim menaxhimin e fazës së rehabilitimit. Edhe pse uji do ende kohë që të tërhiqet në disa zona si Oblik. Mund të them se ka funksionuar mekanizmi i mbrojtjes civile. Në vitin 2019 nisi një reformë që ka të bëjë me reduktimin e riskut nga fatkeqësitë natyrore, pasi dihet se Shqipëria është një nga vendet më të rrezikuara në Europë nga fatkeqësitë, sidomos nga përmbytjet. Situata është menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme, pasi kanë funksionuar të gjitha strukturat. Ndryshe nga më parë, kur legjislacioni ishte i pjesshëm dhe merrej vetëm me emergjencën civile. Në vitin 2010, gjysma e hidrovoreve nuk funksiononin”.
Por, për eksperten e ekonomisë, Zana Guxholli, “qeveria duhet të ketë strategji dhe plane afatgjata që efektet e fatkeqësive të natyrës të minimizohen”.
“Kjo qeverisje, duke qenë se jemi edhe në prag të zgjedhjeve, ka përqasje pa vizion dhe afatshkurtër. Është qesharake kur kryeministri thotë se në 2010 reshjet ishin dy herë më pak. Nuk është ky thelbi. Kjo qeverisje po mbyll vitin e 8 dhe premtimet e vitit 2013 për përmbytjet ishin të shumta. Situata ku është? Njëlloj si më parë”, theksoi Guxholli.
Sipas Agron Haxhimali, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive, “menaxhimi i fatkeqësive natyrore ka qenë katastrofik, i varfër, pa burime njerëzore dhe pa institucione të specializuara”.
“Vë re mungesë koordinimi për shumë e shumë arsye. Ka çaluar sepse ne nuk kemi kuptuar mirë që jemi zonë me imunitetin më të ulët në rajon për rreziqet natyrore. Asnjë nga qeveritë nuk ka kuptuar që sasia e reshjeve, kanalet parësore e dytësore, infrastruktura nëntokësore janë jashtë vëmendjes. Prandaj kemi këto përmbytje. Sadoqoftë që mund të bëjmë retorikë politike, kemi të njëjtët qytetarë që vuajnë përgjatë viteve. Krahasimi që sot kemi 15 cm më pak ujë nuk bën dallim për qytetarin: i përmbytur ishte, i përmbytur është”, nënvizoi Haxhimali. (A2 Televizion)