Trump kërkon buxhet rekord për mbrojtjen: 1.5 trilionë dollarë për ushtrinë amerikane

Nga A2 CNN
3 Prill 2026, 18:45 | Bota

Trump kërkon buxhet rekord për mbrojtjen: 1.5 trilionë

Donald Trump ka propozuar një rritje historike të buxhetit të mbrojtjes së Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke kërkuar 1.5 trilionë dollarë për ushtrinë – niveli më i lartë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas planit të paraqitur nga Shtëpia e Bardhë, pjesa më e madhe e buxhetit, rreth 1.1 trilionë dollarë, do të shkojë për Pentagonin si shpenzime diskrecionale, ndërsa 350 miliardë dollarë do të financojnë bazën industriale të mbrojtjes përmes një procedure të veçantë buxhetore.

Kjo kërkesë është e ndarë nga 200 miliardë dollarët shtesë që Pentagoni ka kërkuar për operacionet ushtarake në Iran.

Buxheti përfshin gjithashtu financimin e sistemit të ri të mbrojtjes kundër raketave “Golden Dome”, një projekt ambicioz që synon të mbrojë SHBA-të nga kërcënimet ajrore dhe hapësinore përmes një rrjeti sensorësh dhe sistemesh ndërhyrëse në tokë, det dhe hapësirë. Vetëm komponentët hapësinorë mund të kushtojnë deri në 542 miliardë dollarë në dy dekada, sipas vlerësimeve të Kongresit.

Një tjetër fokus i rëndësishëm është rritja e prodhimit të anijeve luftarake. Plani parashikon 65.8 miliardë dollarë për ndërtimin e flotës detare, përfshirë anijet e reja të gjeneratës së ardhshme, që Trump i ka cilësuar si “Flota e Artë”. Ndërtimi i anijes së parë, USS Defiant, pritet të nisë së shpejti.

Administrata argumenton se kjo rritje është e nevojshme për të përballuar konkurrencën me Kinën, pasi SHBA konsiderohet se ka mbetur pas në kapacitetin e ndërtimit të anijeve dhe prodhimin ushtarak.

Nga ana tjetër, për të balancuar rritjen e shpenzimeve ushtarake, buxheti parashikon ulje me rreth 10% të shpenzimeve jo-ushtarake, duke prekur programe në fushat e klimës, arsimit dhe strehimit.

Propozimi duhet të miratohet nga Kongresi dhe pritet të ndezë debat të fortë politik për prioritetet buxhetore dhe ndikimin në ekonominë amerikane.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos