“Shqiptarët paguajnë më shtrenjtë”, Berisha: 350 mijë ton naftë kontrabandë zhduken, kontrabandën e bën qeveria

Nga A2 CNN
3 Prill 2026, 19:09 | Politikë

“Shqiptarët paguajnë më shtrenjtë”, Berisha: 350

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se çmimi i naftës në Shqipëri është më i larti në botë në krahasim me fuqinë blerëse të qytetarëve, duke theksuar se rreth 60% e çdo litri përbëhet nga taksa dhe akciza që merr shteti.

Gjatë një takimi në selinë blu për çmimin e naftës, kreu demokrat tha se kjo ngarkesë fiskale e lartë, bashkë me kontrabandën e naftës që sipas tij kontrollohet nga qeveria, krijon një ndëshkim për qytetarët dhe ekonominë, duke rritur çmimet e transportit, të prodhimeve bujqësore dhe ushqimeve.

"Nuk zhduket nafta transit, por zhduken 350 mijë ton naftë kontrabandë. Dhe kontrabandën nuk mund ta bëjë njeri tjetër përveç qeverisë. Nafta e tëra vjen me anije. Dhe është vërtetuar se anijet e Libisë vijnë për qeverinë. Është gjetur. Po ato vijnë, kapen dhe mbyllen se janë anijet e qeverisë. Nafta, në qoftë se ti e taton 60 përqind të çmimit litrin, ti faktikisht bë një plaçkitje masive të shqiptarëve".

Sipas tij, ndërsa qytetarët shqiptarë paguajnë deri në 7% të të ardhurave ditore për një litër naftë, në Gjermani dhe Zvicër kjo shifër është përkatësisht 1.2% dhe 1%. Ai akuzoi qeverinë për rritje të vazhdueshme të akcizës dhe për menaxhim të kontrabandës që, sipas tij, sjell humbje miliona ton nafte çdo vit.

“Pra, dy janë faktorët kryesorë të këtij çmimi ndëshkues të litrit të naftës në Shqipëri. Ngarkesa fiskale më e lartë në botë. Nuk ka asnjë vend tjetër që të ketë ngarkesë fiskale më të lartë se Shqipëria. Dhe e dyta, nuk ka një vend tjetër që të ketë një kontrabandë më të madhe se Shqipëria. Por kontrabanda, thashë edhe njëherë, është e tëra kontrabandë qeveritare. Se gjemitë kontrabandë i sjell vetëm qeveria. 1.1 euro dora e shtetit merr për litër nafte nga qytetari. 0.7 u merr në Maqedoni, u merr në Kosovë, dhe çmimet aty janë minimumi 40 përqind më të lira. Më e lirë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos