Rama porosit kryebashkiakët. Zyra për legalizimet, sistemi i adresave dhe shtëpitë muze

Nga Fjorela Beleshi
3 Prill 2026, 19:22 | Politikë

Si kryeministër, Edi Rama takoi vetëm kryebashkiakët e majtë në Pallatin e Kongreseve, për t’u dhënë porositë e turit partiak “Punët e Shqipërisë”.

Të zgjedhurit vendorë të së majtës sapo të kthehen në qytetet e tyre duhet të hapin zyra për legalizimet në ndihmë të qytetarëve.

Sistemi i adresave, një projekt që “udhëton” ndër vite, ka nevojë edhe për përfshirjen e bashkive. Nësë refuzohet bashkëpunimi, Rama i kërcënoi me masa ndëshkuese, shkruan A2.

Mbeturinat në qytete janë ende një plagë e bashkive në vend. Kësaj radhe, Rama ka menduar si zgjidhje ngritjen e një task force.

Kryeministri Rama foli edhe për idenë e bashkive si sipërmarrëse apo me partneritet privat. Një projekt i tillë mund të shfrytëzohet për parkingjet.

Aty ku ka mundësi dhe ka mbetur ende në këmbë trashëgimia kulturore, kryebashkiakët kanë detyrë për të identifikuar shtëpi që plotësojnë kushtet për t’u kthyer në muze.

A2CNN mëson se gjatë këtij takimi Rama u ka kërkuar kryebashkiakëve që kanë tre apo më shumë mandate që të mos “lëshojnë” punën, por të angazhohen si me çështjet e bashkisë ashtu edhe gjatë fushatës.

Në këtë takim gabimisht njoftimi i kishte shkuar edhe kryebashkiakut të djathtë të Pukës, Rrok Dodaj, i cili nuk u lejua të futej në mbledhje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos