
Një polic është xhiruar me gjurin në qafën e një të riu me ngjyrë, duke rikujtuar skenën e dhimbshme të George Floyd, vrasja e të cilit shkaktoi protesta masive në të gjithë SHBA-në.
Në video shihet se si Yugeshwar Gaindarpersaud qëndron i shtrirë në tokë dhe humb ndjenjat, ndërkohë që i ati i tij i lutet policit që ta heqë gjurin nga qafa. I riu përfundoi në spital pas incidentit që ndodhi fare pranë shtëpisë së tij, në Nju Jork.
Ai u arrestua pasi dyshohej se kishte çarë gomën e makinës së fqinjit dhe akuzohet për rezistencë ndaj arrestimit. Policët amerikanë e kanë të ndaluar të përdorin teknikën e gjurit në qafë gjatë arrestimit, pas vdekjes së George Floyd nga e njëjta teknikë në datën 25 maj.
Rreth 100 persona u mblodhën jashtë komisariatit të policisë për të protestuar ndaj incidentit, kur panë në rrjetet sociale videon që u xhirua nga babai i të arrestuarit.
“Më mbajti këmbën në kokë dhe nuk lëvizja dot. As nuk merrja dot frymë. Nëse do të më mbante ashtu edhe 5 minuta, do të vdisja. Mendova se do të vdisja si George Floyd”, tha 31-vjeçari.
Policia ka nisur hetim për këtë incident. (A2 Televizion)