
Historiania Elena Kocaqi, e ftuar në studion e “Ditari” në A2, deklaroi se ligji i vitit 2017 mbi minoritetet duhet rishikuar. Sipas saj, ky ligj ka njohur 9 minoritete, por pa caktuar kriteret mbi bazën e të cilave i ka njohur këto minoritete.
“Është pak e vështirë për të përcaktuar një minoritet etnik, por ka disa kritere të vendosura nga gjykatat ndërkombëtare. Që një pakicë të quhet minoritet duhet të plotësojë disa kushte: të ketë një territor të caktuar, të ketë një fakt historik që të vërtetojë se ka tradita të ndryshme nga mazhoranca e një shteti. Te ligji jonë i vitit 2017, nuk janë të përcaktuara këto kritere”, tha Kocaqi.
“Sugjerimi ynë është që ky ligj, që është bërë me nxitim, të rishikohet sepse ka njohur 9 minoritete, por nuk ka përcaktuar kriteret mbi bazën e të cilës janë njohur këto minoritete. Ne kemi pasur 3 minoritete që kanë vite që janë njohur: grek, bullgaro-maqedon dhe malazez. Tani janë njohur edhe 6 të tjera. Komunitetet kulturore dhe linguistike nuk plotësojnë kushtet për t’u konsideruar minoritet. Ligji aktual njeh minoritete që nuk kanë gjuhë të vetën. Kjo do të thotë që nuk mund t’i plotësohen kërkesat që këta komunitete kanë”, shtoi Kocaqi.
Sipas saj, shqiptarët tolerojnë çdo minoritet, ndërsa vendet e tjera as nuk i njohin minoritetet shqiptare.
“Ne tolerojmë në Shqipëri për çdo minoritet, ndërsa neve nuk na ka toleruar askush në Ballkan. Shqiptarët janë asimiluar në Greqi, nuk kanë status jo vetëm minoriteti, por as pakicë. Duhet shumë kujdes nga qeveria shqiptare, kemi toleruar më shumë seç duhet. Jam për respektimin e të drejtave të çdokujt, por jo që me taksat tona të asimilojmë popullin tonë për llogari të Greqisë”, u shpreh Kocaqi. (A2 Televizion)