Miqësorja Shqipëri-Itali, shiten të gjitha biletat

Nga A2 CNN
15 Nëntor 2022, 21:25 | Futboll
Miqësorja Shqipëri-Itali, shiten të gjitha biletat

Janë shitur të gjitha biletat në Arenën Kombëtare për miqësoren me Italinë.

Edhe pse për thuajse një javë interesi dukej i vakët, 24 orë para ndeshjes nuk ka më vende të disponueshme në stadium.

Kjo është hera e parë që stadiumi do të jetë i mbushur me kapacitet të plotë pas më tepër se një viti. “Sold out” për here të fundit kishte ndodhur në kualifikuesen e Botërorit me Poloninë, më 12 tetor 2021. Ajo ishte ndeshja e fundit në grup dhe Shqipëria shpresonte për të arritur vendin e dytë dhe të priste një biletë për në “playoff”.

Tifozët kuqezi janë përgjigjur pavarësisht se disa emra të mëdhenj të Kombëtares do të mungojnë mbrëmjen e së mërkurës, teksa një i tretë rrezikon të mos jetë i gatshëm.

Berat Gjimshiti dhe Ivan Balliu nuk do të jenë në gjendje t’i përgjigjen ftesës së kuqezinjve, për testet e muajit nëntor. Klubi i Atalantës në Serie A dhe Rayo Vallecano në La Liga njoftuan federatën e futbollit se dy futbollistët janë të dëmtuar dhe do ta shfrytëzojnë periudhën e pauzës për t’u rikuperuar.

Edhe Armando Broja rrezikon të mos jetë i gatshëm për duelin e kësaj të mërkure me të kaltrit. Sulmuesi i Chelsea vuan prej një dëmtimi muskulor dhe iu nënshtrua vizitave të specializuara me stafin mjekësor të Kombëtares. Aktivizimi i tij mbetet në dyshim serioz dhe vendimi do të merret në orët në vazhdim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos