Miratohen ndryshimet në statut, Berisha: Ky kuvend sjell PD-në në themelet e saj

Nga A2 CNN
11 Dhjetor 2021, 13:22 | Politikë
Miratohen ndryshimet në statut, Berisha: Ky kuvend sjell PD-në në

Pas votimit për ndryshimin e statutit të PD dhe vendimit për të hedhur në votim të fshehtë shkarkimin e kryetarit aktual të partisë Lulzim Basha, Sali Berisha u ngjit në podiumin e improvizuar të Air Albania para mijëra delegatëve të PD.

Sali Berisha u shpreh se kuvendi i kësaj të shtune sjell PD në themelet e saj.

“Ky kuvend monument i lirisë së shqiptarëve, monument i rithemelimit të PD. Ta shndërrojmë PD-në në partinë e idealeve tuaja, të vlerave konservatore, interesin kombëtar, integrimeve euroatlantike, por mbi të gjitha në partinë e anëtarit, në forcën politike që nesër në pushtet do të ketë në epiqendër qytetarin shqiptar, hallet dhe interesat e tij; në forcën politike që nesër në pushtet do të vendosë vlerat më të mëdha në shoqëri, dinjitenin njerëzor, familjen shqiptare, ekonominë e tregut, pronën.

Ky tubim i jashtëzakonshëm, ky kuvend i pashembullt në histori. Ky kuvend sjell PD në themelet e saj, si forcë politike të interesit kombëtar që sot vuan më shumë se kurdoherë tjetër, që nga diktatura. Sot përulem në mirënjohje të pakufishme ndaj studentëve liberatorë të dhjetorit ’90”, tha Berisha.

Më tej, Berisha foli edhe për Bashën, duke u shprehur se ai ngriti prita politike ndaj bashkëpunëtorëve të tij dhe nuk arriti asnjë fitore. “Çdo protestë që nisi nuk e përfundoi me sukses. Në 8vite ndërtoi monumentin e hiçit. Në 8 vite ne përfunduam si një forcë politike që nuk shihte asnjë fitore. PD i shëmbëllente një druri të thatë që nuk gjelbëron asnjëherë. Pas zgjedhjeve të vitit 2021, Basha u kujdes për karrigen e tij, për marrëveshjen”, tha Berisha. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2021/12/11/kuvendi-i-pd-miraton-hedhjen-ne-votim-te-fshehte-shkarkimin-e-kryetarit-basha/

A2 CNN Livestream

Latest Videos