
Qeveria miratoi atë që cilëson si buxheti më i madh i historisë. Por sipas Edmond Spahos, deputet i Partisë Demokratike, problematikat mbeten dhe nuk ndihmojnë ekonominë e vendit.
“Ky buxhet nuk kapërcen modelet e këtyre viteve që na kanë çuar në gjendjen ku ndodhemi. Nuk flitet vetëm për ketë vit, që janë rritur çmimet dhe është përkeqësuar gjendja ekonomike, dhe njerëzit kanë filluar të emigrojnë. Kur vazhdon po me të njëjtat politika, edhe efektet do të jenë të njëjta”, thotë ai për A2 CNN.
Ai mohon se buxheti mund të jetë realisht më i madhi, edhe sipas shifrave. “Kështu thonë çdo nëntor, e paraqesin në nëntor siç e duan, pastaj e shkurtojnë, në buxhetin faktik të 2021 u panë të gjitha problemet, nga mos arkëtimi, te problemi i pagave etj. Buxheti gjithmonë do të jetë më i madh, është marrëzi ta propagandosh këtë. Pretendohet se është dyfishi i vitit 2013, por atëherë pse pagat, pensionet, nuk janë dyfish nga ai vit? Ku janë rrugët, ku kanalizimet, ne po lëvizim po në ato rrugë, me diferenca të vogla, nga viti 2013”, shton deputeti opozitar. (A2 Televizion)