Provat e mbledhura në atentatin në fier kanë treguar sjelljen e autorëve thuajse identike me vrasjet e viteve të fundit me pagesë. Megjithatë disa detaje kanë shkuar edhe më tej. Selami Hasani ka qenë nën vëzhgim të agresorëve edhe pse lagjja ishte e mirëkontrolluar për shkak të përplasjeve mes grupeve rivale.
Dyshimet janë se monitorimi është bërë me dron, e më tej tre autorë të dyshuar kanë hyrë në rrugicën që të çonte te shtëpia e viktimës në lagjen 1 maji. Një nga pistat e hetimit është se në mjetin Toyota të bardhë e me xhama të zinj, agresorët mund të ishin me veshje policie, kjo për të shmangur dyshimet e për të mos ngritur alarmin në zonë.
Të paktën 10 gëzhoja pistolete u gjetën në vendin ku u vra Sel Çami dhe nipi i tij. Menjëherë pasi qëlluan me breshëri autorët u larguan për të djegur makinën në fshatin Dërmenas aty ku i priste dhe bashkëpunëtori i katërt.
Nga vëzhgimi i kamerave të sigurisë gjurmët e fundit të tyre të çonin drejt Vlorës, por ende pa persona të identifikuar.
Në automjetin e djegur u sekuestruan katër armë zjarri, të pajisura me silenciator. Ndërsa makina ishte e vjedhur në Suedi dhe kishte hyrë në territorin shqiptar në vitin 2023, përmes pikës kufitare të Morinës, nga Kosova. (A2 Televizion)