Moska njofton një tjetër armëpushim, OKB: Mundësoni evakuimin e civilëve, sot raund i ri bisedimesh

Nga A2 CNN
8 Mars 2022, 10:12 | Bota
Moska njofton një tjetër armëpushim, OKB: Mundësoni

Organizata e Kombeve të Bashkuara i bën thirrje Rusisë dhe Ukrainës të garantojnë kalimin e sigurt të civilëve që duan t’u shpëtojnë luftimeve dhe të lejojnë hyrjen e ndihmave humanitare në vendet më të prekura nga luftimet.

OKB-ja dhe partnerët kanë ofruar ushqime për qindra mijëra njerëz, por situata e rrezikshme e sigurisë e ka bërë të vështirë hyrjen në zona të caktuara. Deklarata vjen ndërsa të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për pengimin e evakuimit të sigurt të civilëve.

Ambasadori i Ukrainës në OKB akuzoi Moskën se po bombardonte korridoret humanitare, por ai i Moskës replikoi se ishte Kievi ai që po pamundësonte kalimin e sigurt.

Pas tre armëpushimeve të dështuara Moska njoftoi të martën një tjetër pauzë të luftimeve dhe tha se është e gatshme të sigurojë korridore humanitare në Ukrainë.

Siç mësohet, në Sumi, ku të hënën u vranë 9 civilë, evakuimi ka nisur dhe qytetarët po zhvendosen drejt qytetit ukrainas të Poltavës.

Një ditë më parë, Kievi refuzoi korridoret e propozuara, pasi ato i dërgonin qytetarët në Rusi dhe Bjellorusi.

Një raund i katërt i bisedimeve pritet të mbahet ditën e sotme, pasi përpjekja e tretë për vendosjen e paqes përfundoi me pak progres. Në fund të takimit, delegacioni ukrainas tha se ka lëshime të vogla dhe pozitive sa i përket përmirësimit të logjistikës për korridoret humanitare.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos