
Përkundër dëshirës së lojtarit për t’u larguar nga Barcelona, duket se Leo Messi do ta ketë mjaft të vështirë për t’iu bashkuar një klubi tjetër. Në historinë më të nxehtë të futbollit këtë verë është futur vetë federata.
Liga Spanjolle e futbollit nëpërmjet një deklarate ka ngrirë disi përpjekjet e enturazhit të argjentinasit që mendonin se sulmuesi mund të largohej lehtë nga Barca.
Sipas Ligës, cilido klub që do të dëshirojë të ketë shërbimet e Messit, nuk do të mund ta blejë atë me kosto zero, por duhet të paguajë klauzolën e famshme prej 700 milionë eurosh.
Stafi rreth lojtarit dhe ekipi ligjor i klubit sipas raportimeve duket se kanë hyrë në një luftë për të zgjidhur pikërisht këtë çështje, që tashmë është kthyer në mollë sherri midis kapitenit dhe klubit ku ai ka kaluar të gjithë karrierën e tij.
Messi ka marrë të gjithë vëmendjen e merkatos së kësaj vere teksa argjentinasi, shihet më shumë afër Manchester City-t të Pep Guardiolës, i cili është fotografuar nga mediat në Barcelonë këtë fundjavë. Marrëdhëniet mes lojtarit dhe klubit morën goditjen e fundit, në përfundim të këtij sezoni të pazakontë, ku krahas situatës së pandemisë, Barcelona dështoi të ndërtonte një sezon të suksesshëm, çka kulmoi me humbjen historike në Champions League ndaj Bayernit.
Këtë të dielë Messi duhej të paraqitej në selinë e klubit për të zhvilluar testet mjekësore, por 33-vjeçari nuk është paraqitur, çka tregon vendosmërinë e tij për t’u larguar nga blaugranat. (A2 Televizion)