
Këtë të diel u zgjuam 60 minuta më vonë për shkak të ndryshimit të orës. Ka pasur disa debate për ndryshimin e akrepave, por për shkak të pandemisë ky vendim u shty sërish. Ndërsa deri të dielën e fundit të muajt mars duhet të mësohemi me ndryshimet e reja.
Në mesnatë akrepat e orës u kthyen 60 minuta pas. Ndonëse ky vit ishte parashikuar si i fundit për ndryshimin e orës, sërish duhet të presim nëse do të ketë vendimin zyrtar nga BE. Më të prekur nga ndryshimi i orës janë padyshim qytetarët aktiv në marrëdhënie pune dhe arsimore, të cilët preferojnë një orë të pandryshuar.
Për sociologun Zyhdi Dervishi, ndryshimi i orës ka pasoja psikologjike dhe sugjeron po ashtu që ora të mbetet e pandryshuar.
“Ndryshimi i orës ndikon shoqërisht, psikologjikisht dhe për këtë nuk ka studime të mirëfillta. Ndaj duhet të ketë studime. Shoqëria duhet të mendojë për njerëzit që janë forcën aktive në punë sesa për ata që janë të mefshtë. Pasi ka më tepër produktivitet kur dita është më e gjatë”, tha Dervishi.
Por cila orë i përshtatet më shumë vendi tonë. Nga pozita gjeografike, sipas astrofizikantes Mimoza Hafizi, Shqipëria pozicionohet më mirë me orën perëndimore, ku dita është më e gjatë.
“Nga pike pamja astronomike, ora që kemi është më e mira e mundshme. Ju e dini në fjalor, ora 12 është mesdita dhe ne na përkon mesi i ditës me këtë orë. Ora greke ose turke do të na zhvendoste dhe nuk besoj se do të ishte e përshtatshme për ne. Megjithatë varet nga zakonet e njeriut për menazhimin e ditës”, shtoi Hafizi.
Ndryshimi i orës ka nisur që prej vitit 1981 me qëllim shfrytëzimin ekonomik të diellit për të rritur rendimentin e punës kryesisht në fabrikat e përpunimit. Këto ndryshime pritet t’u jepet fund së shpejti pasi kjo ka ndikuar edhe në një ndotje më të lartë të globit. (A2 Televizion)