Në Liban bëhet “modë”, gruaja e armatosur merr peng punonjësit e bankës dhe tërheq kursimet

Nga A2 CNN
14 Shtator 2022, 13:26 | Bota

Një grua e armatosur u fut në degën e një banke në Bejrut të Libanit, dhe pasi mori peng stafin dhe personat e pranishëm, kërkoi që të merrte patjetër kursimet e saj, të bllokuara në bankë. Sipas raportimit të medias “Arab News”, ajo kërkonte me doemos paratë, për të paguar kurën e së motrës, të sëmurë me kancer.

Pamjet e momentit dramatik, që mund të kishte përfunduar në tragjedi, u publikuan në mediat lokale. Gruaja, e identifikuar si Sali Hafiz, qëndroi brenda degës së bankës për një orë deri sa arriti të merrte paratë e saj. Në raportime të ndryshme në mediat lokale, thuhet se bëhet fjalë për një shifër 13-20 mijë dollarë. Pati raportime se gruaja u arrestua nga autoritetet, por disa dëshmitarë thanë se ajo u largua me paratë në një qese.

Një dëshmitare tjetër tha për The Associated Press se gruaja kishte kërcënuar se do të vriste drejtorin e degës nëse nuk merrte paratë. Agjencia gjithashtu raportoi se në bankë ishin futur edhe aktivistë të një grupimi që kërkon të mbrojë depozitat e njerëzve.

https://youtu.be/PBzvJKwLwBU

Incidente të ngjashme janë raportuar edhe në zona të tjera të Bejrutit dhe qytete të tjera libaneze. Një muaj më parë, një burrë mori peng për disa orë punonjësit dhe klientët në një bankë në Bejrut, pasi iu refuzua që ai të tërhiqte kursimet e tij prej rreth 200 mijë dollarësh.

Mes krizës ekonomike, të nisur tre vjet më parë, Banka Federale e Libanit ka vendosur kufizime në sasinë e parave që klientët e saj mund të tërheqin nga kursimet e tyre. Por shumë qytetarë janë rebeluar kundër këtij vendimi dhe po përpiqen ta zgjidhin me vetëgjyqësi problemin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos