
Reforma në drejtësi po mbush vitin e saj të shtatë që nga miratimi me unanimitet i ndryshimeve kushtetuese korrikun e vitit 2016. Por, zbatimi i saj efektiv në sallën e gjyqit ka ende sfida dhe nevojë për kthjelltësi ligjore. Kjo nis që me përgatitjen e studentëve të drejtësisë dhe magjistratëve të rinj.
Kreu i shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, thekson se kjo vjen nga dobësia e vendimeve penale në vendin tonë.
Një prej anëtarëve të grupit të punës për një Kod të ri Penal ka sjellë në dritë kërkimin shkencor përmbledhur në botimin “Arkitektura juridike e dënimit penal”. Ylli Pjetërnika zgjedh të evidentojë problematikën kryesore që duhet të marrë zgjidhje për vendime të drejta në sallën e gjyqit: “Ne kemi marzhe shumë të larta dënimi, që nuk është në përputhje me rrezikshmërinë shoqërore të veprës. Kemi edhe paqartësi të hipotezave të normave penale. Ka ndryshim dënimi nga njëra trupë në tjetrën, gjë që bën që i pandehuri të bëjë përpjekje për t’u gjykuar nga një trupë dhe jo nga një tjetër”.
Arben Çejku, i Qendrës Shqiptare për Qeverisjen e Mirë, bën një paralele të fortë mes vendimeve në gjykatë dhe atyre në familje: “A isha unë i drejtë me dy fëmijët njësoj? A jeni ju të drejtë në çdo moment kur jepni vendime? Sfida më e madhe është shkëputja nga ndikimi politik. Bëni drejtësi sot se kjo do të funksionojë dhe nesër, kur ju nuk do jeni në këtë detyrë. Demokracinë në Shqipëri nuk e garantojnë më shume fjalimet politike, por insitucionet e drejtësisë”.
Nga sondazhet e qendrës rezulton se 95% e qytetarëve mbështesin dhe vetting-un e politikanëve, jo vetëm të gjyqtarëve. Modeli gjerman promovohet në Shqipëri dhe nga Fondacioni Konrad Adenauer, drejtuesi i tij Tobias Rüttershoff theksoi se pa pasur demokraci, nuk mund të kemi kurrë një shtet të së drejtës.
Sipas tij, reforma e dhimbshme shqiptare në drejtësi tashmë duhet të ketë në fokus njerëzit dhe adresimin e dosjeve të tëra stok në gjykata. (A2 Televizion)