Debate te konferenca e kryetarëve, buxheti i shteti për vitin e ardhshëm nisi maratonën e diskutimeve

Nga A2 CNN
5 Nëntor 2025, 17:05 | Politikë

Ligji më i rëndësishëm ekonomik i vendit, buxheti i shteti për vitin e ardhshëm nisi maratonën e diskutimeve... shoqëruar edhe nga debate në Konferencën e Kryetarëve. “Mollë sherri” kësaj herë mes opozitës dhe mazhorancës  u bë mungesa e paketës fiskale që nuk iu ishte vënë në dispozicion ligjvënësve.

“Nuk ka buxhet pa paketë fiskale. Nuk ka buxhet pa ligje financiare”, tha Jorida Tabaku.

Me demokratët që kërkuan shtyrjen me një javë të shqyrtimit të projekt-buxhetit dhe kalendarit për shqyrtimin e tij, “gjakrat” i qetësoi Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi.

“Nuk mund t’i marrim vetes edhe një javë kohë ndaj le të vijojmë me prezantimin e projektligjit të buxhetit nga Ministri i financave”, deklaroi Niko Peleshi.

Me sallën që rigjeti qetësinë, ministri i Financave tregoi edhe drejtimet kryesore ku do të shpërndahen paratë.

“Me 886.7 miliardë lekë shpenzime publike të parashikuara, fokusi do të jetë te mirëqenia sociale, te nxitja e investimeve për një infrastrukturë më moderne, te përsosja e sistemeve digjitale, te zhvillimi i energjisë së gjelbër, si dhe te zhvillimi i kapitalit njerëzor”, deklaroi ministri Malaj.

Sipas socialistëve në mandatin e katërt qeverisës, buxheti i vitit të ardhshëm hedh themelet për t’i kthyer dinjitetin pensionistëve shqiptare.

“Ndaj, duke filluar nga 1 janari 2026, përtej indeksimit vjetor që zbatohet rregullisht, do të zbatohet edhe rritja mujore e pensioneve e për të arritur deri në fund të mandatit që: Pensioni urban me vite të plota pune të shkojë 40 mijë lekë nga 27,350 lekë që është sot. Pensioni urban i pjesshëm të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë nga 15,850 lekë që është sot. Pensioni rural të shkojë 18 mijë lekë nga 11,500 që është sot. Pensioni familjar të shkojë 18 mijë lekë nga 11,400 lekë që është. Pensioni i invaliditetit të shkojë 30 mijë lekë nga 20 mijë lekë që është aktualisht”, shtoi Malaj.

Nga mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, ministri Petrit Malaj tregoi edhe projektet infrastrukturore që pritet të marrin jetë nga viti i ardhshëm.

 “Shpenzimet për Infrastrukturën dhe Energjinë do të zënë 2.8% të PBB-së, ku ndër zërat kryesorë  mund të përmendim: 3,522 km rrugë të mirëmbajtura sipas standardeve në vitet 2026-2028 në të gjithë territorin; Financimin e rrugës Elbasan – Lekaj Zgjerimi i Autostradës Tiranë-Durrës dhe Berat-Ballaban Zgjerimi i rrugës Tiranë – Ndroq – Plepa Zgjerimi i rrugës Elbasan – Qafë Thanë, Rehabilitimi i linjës hekurudhore Durrës - Terminali pasagjerëve - Tiranë dhe ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë – Rinas”, tha ministri.

Buxheti për vitin e ardhëm është 887 miliardë lekë apo rreth 9 miliardë euro. Ai është gati 64 miliardë lekë apo 6.7 për qind se sa buxheti i këtij viti.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është institucioni që do të marrë më shumë para, mbi 82.5 miliardë lekë, ndjekur nga Infrastruktura dhe Energjia dhe Arsimi Rinisa dhe Sporti me respektivisht 77.2 dhe 64.8 miliardë lekë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos