
Më 26 shtator, Parlamenti gjerman do të votojë për negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. “Deutsche Welle” ka zbuluar se Bundestagu gjerman pritet të vendosen kushte për Shqipërinë, ndërsa Maqedonia e Veriut mund t’i fillojë negociatat qysh në janar.
Dokumenti që do të formulojë qëndrimin gjerman në Këshillin e BE-së është duke u finalizuar. Ai do të hidhet në votim me kërkesë të dy grupeve parlamentare të mazhorancës qeveritare, Unioni Kristdemokrat dhe Unioni Kristsocial (CDU/CSIU) si edhe Partia Socialdemokrate.
Aty është parashikuar që Maqedonia e Veriut të fillojë bisedimet qysh në janar, ndërsa Shqipëria do t’i nisë ato vetëm kur të plotësohen disa kushte.
Sipas burimeve të DË në qarqet e grupit parlamentar CDU/CSU, bëhet fjalë pak a shumë për nëntë pika:
– funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese
– miratimi i reformës zgjedhore;
– implementimi i reformës zgjedhore;
– ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që nuk e kanë kaluar provimin e Vettingut;
– ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave;
– vënia në punë e prokurorisë speciale për luftimin e korrupsionit, SPAK,
– rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapja dhe ndjekja penale e personave kyç të krimit, të të ashtuquajturve “peshq të mëdhenj”;
– përparime në reformën e administratës publike;
– sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. (A2 Televizion)