
Samiti mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bruksel nuk kishte përfunduar ende kur nga salla e Kuvendit, Sali Berisha i kërkoi unionit hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe ndarjen e vendit nga rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut.
“Rama shkoi si vasal i Vuçiç, i bëj thirrje të hapen negociatat me Shqipërinë dhe ta ndajë atë nga Bullgaria”, tha Berisha.
Një kërkesë, në emër të vlerave europiane, kishte edhe Taulant Balla.
“Një Kuvend që sot mund të marrë datën për negociatat. Duhet të ishte vendimmarrje e përbashkët që një ‘non grate’ të mos i jepej e drejta e fjalës”.
Për samitin ndërhyri dhe kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Jorida Tabaku, që mori kundërpërgjigjen e zv/kryetarit Balla.
“Ashtu siç e thashë para pak ditësh me një këmbë shkoi Rama në konferencë si Çeço pavarësisht se bëri të fortin e lagjes duke mbledhur edhe trimat këtu rreth e rrotull rajonit”, tha Tabaku.
“Dy vende anëtare të NATO-s mbahen peng nga një vend anëtar i NATO-s dhe më vjen keq që një vend i NATO-s në kohën e agresionit rus nuk e kupton rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë”, shtoi Balla.
Përplasjet vijuan edhe mbi pronat, ndërsa kryedemokrati i renditi mes arsyeve përse thërret shqiptarët në protestën e 7 korrikut.
“Një thirrje të veçantë kam për pronarët për të cilët unë bëj një autokritike për disa qëndrime të PD në fillimet e saj dhe u bëj thirrje të bashkohen me ne”, tha Berisha.
Raporti për administratën publike, solli kritika jo vetëm nga opozita, por edhe nga mazhoranca.
Kuvendi rrëzoi kërkesën e grupit parlamentar demokrat për ngritjen e një komisioni hetimor për investimet strategjike. (A2 Televizion)