
Ramiz Muçollari, i armatosur u mbyll në banesën e tij pasi mbrëmjen e kaluar tentoi të vriste gruan dhe djalin.
62-vjeçari hapi zjarr ndaj policisë duke rrezikuar jetën e efektivëve lokalë që mbërritën në vendngjarje. Përgjatë natës, e gjithë zona në fshatin Qesarakë u izolua ndërsa me ardhjen e forcave të RENEA-s, autori vazhdoi të hapte zjarr, duke qëlluar me një mitraloz.
Mëngjesin e së shtunës, Forcat Speciale “Renea” hynë deri në katin e dytë të banesës së Ramiz Muçollarit, i cili ishte ngjitur në papafingo. Policia njoftoi se pas më shumë se një orë shkëmbime zjarri, 62-vjeçari mbeti i vrarë.
Mbrëmjen e së premtes autori tentoi të vrasë gruan dhe djalin e tij. Ai qëlloi me thikë bashkëshorten dhe tentoi të mbysë djalin. Pëllumbesha Muçollari dhe Kamber Muçollari aktualisht ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Autori vuante nga probleme të shëndetit mendor ndërsa ka qenë për vizitë në spitalin psikiatrik, por nuk është shtruar dhe pasi është kthyer në shtëpi nisi konfliktin me familjarët. Të shtënat, sipas një banori të zonës u dëgjuan që mbrëmjen e së premtes.
Për ngjarjen reagoi dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla, duke shprehur mirënjohje për forcat special RENEA dhe ato atë policisë së Korçës, të cilat kryen detyrën në kushtet e rrezikut të jetës. Balla shtoi se çrrënjosja e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje është një detyrë kryesore. (A2 Televizion)