Kur luante me Skënderbeun Kur luante me Skënderbeun Kur luante me Bylis
Nga kampionati i moshave në Shqipëri, në nivelin më të lartë të futbollit ndërkombëtar, madje duke i shënuar Interit në “San Siro”. Slavia e Pragës realizoi një prej surprizave më të mëdha të ndeshjeve hapëse në Champions League, duke barazuar 1-1 në Milano.
Peter Olayinka ishte protagonisti kësaj befasie. Sulmuesi nigerian i dha avantazhin Slavias së Pragës, duke konfirmuar se gjithçka është e realizueshme. Rritja e Olayinkas ka qenë e pabesueshme, kur mendon se vetëm 7 vjet më parë ai zbarkoi në Shqipëri, si një djalosh me ëndrra të mëdha.
Në fillim të sezonit firmosi me Bylisin, por prej moshës së mitur u detyrua të luante fillimisht me ekipet zinxhir të mallakastriotëve, me debutimin në ekipin e parë që erdhi në 20 tetor 2012. Pasi spikati për talentin dhe potencialin e tij, sulmuesi nigerian tërhoqi vëmendjen e klubeve më të mëdha shqiptare. Viti 2013 solli pezullimin nga FIFA, pasi u largua nga Bylisi ndërsa ishte nën kontratë. Për të mos qëndruar disa muaj pa aktivizim, karriera e tij vazhdoi përkohësisht në Kampionatin e Qipros Veriore, i cili nuk njihet nga FIFA, ndërsa më pas nigeriani u kthye në Shqipëri.
Problemi i radhës ishte firmosja e dy kontratave, me Kukësin dhe Skënderbeun, duke bërë që komisionet e federatës së futbollit ta pezullonin me katër muaj për shkeljen e bërë. Pasi shleu dënimin, Olayinka u kthye te Skënderbeu. Me korçarët arriti të luante në grupet e Europa League, por ndërsa klubi u përjashtua për 10 edicione nga UEFA, me akuzën e trukimeve, sulmuesi spikati në arenën ndërkombëtare.
Në verën e vitit 2016, Skënderbeu e shiti te belgë te Gent për 1,1 milionë euro. Aventura aty ishte e pafat, me dy huazime te Dukla e Pragës në Çeki dhe Zulte në Belgjikë. Olayinka mori maksimumin gjatë atyre dy sezoneve, duke siguruar kalimin te Slavia e Pragës për 3,2 milionë euro në vitin 2018.
Një transferim i goditur: aty sulmuesi i rritur në Kategorinë Superiore dhe një herë kampion i Shqipërisë, fitoi titullin në Çeki, e tashmë luan në grupet e Champions League. I shënoi Interit në San Siro dhe vendosi rekordin si lojtari i parë nigerian, i cili shënon në debutim për Slavian në Champions. Gjithashtu, i pari nigerian që debuton me gol në eventin më të rëndësishëm prej vitit 2002. Një karrierë e nisur nga fushat me dhe të fëmijëve shqiptarë, për tu bërë protagonist në arenën e madhe. E të mendosh që Olayinka është vetëm 23 vjeç. (A2 Televizion)