
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi të ndryshojë pilotimin për votimin dhe numërimin elektronik. Tashmë ky projekt parashikohet të shtrihet në 52 qendra votimi, nga 1100 që ishte planifikimi fillestar. Kryetari i KQZ-së Ilirjan Celibashi e konsideroi një cedim në arritjen e objektivit fillesat dhe shkaqet ishin dy, paratë dhe koha.
“Për shkak të ngushtësisë së kohës, implikimeve të shumta financiare, njerëzore, do të ishte vështirë për KQZ-në që ta shtrinte implementimin e këtij projekt me një numër qendrash votimit të barabartë me jo më pak se 10% dhe jo më shumë se 20%. Ndaj kemi ceduar të gjithë nga ai angazhim, qoftë ne si KQZ, qoftë partitë politike”, thotë Celibashi.
Por ku do të zbatohet ky projekt pilot? “Ose tek zona zgjedhore që i përket njësisë bashkiake numër 8 ose tek ajo e njësisë bashkiake numër 3, në Tiranë. Secila prej tyre ka një numër prej 52 qendrash votimi”, vijoi ai.
Edhe partitë politike në KQZ ishin dakord me këtë ndryshim drastik të projektit pilot, por sërish zbatimi i tij nuk është i sigurt pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka hapur procedurën për zhvillimin e këtij tenderi. (A2 Televizion)