OBSH e pranon, koronavirusi mund të transmetohet nga ajri

Nga A2 CNN
8 Korrik 2020, 14:28 | Bota

Organizata Botërore e Shëndetësisë pranon se ka prova në rritje se koronavirusi mund të përhapet përmes grimcave të vogla të mbetura pezull në ajër.

Transmetimi përmes ajrit, në ambiente të mbyllura, të tejmbushura dhe pa ajrosje, nuk mund të përjashtohet, tha ekspertja e OBSH, Benedetta Allegranzi.

Benedetta Allegranzi

“Pranojmë se ka prova në rritje sa i përket përhapjes së koronavirusit përmes ajrit. Mendoj se duhet të jemi të hapur ndaj zbulimeve të reja dhe të kuptojmë më mirë mënyrat e transmetimit dhe masat që duhen marrë”, deklaroi Allegranzi.   

Organizata botërore e shëndetësisë rekomandon shmangien e ambienteve të mbyllura e të populluara sa më shumë që të jetë e mundur, dhe ajrosje të vazhdueshme të ambientit. Në një letër të hapur, mbi 200 shkencëtarë akuzuan OBSH se kishte nënvlerësuar mundësinë e transmetimit nga ajri.

https://a2news.com/2020/07/06/virusi-fluturues-ekspertet-covid-19-perhapet-nga-ajri-maska-domosdoshmeri/

Organizata kishte thënë deri më tani se virusi mund të transmetohet përmes spërklave që lëshohen gjatë kollës apo teshtimës.

“Duam që të pranojë provat. Nuk është një sulm ndaj OBSH, por u detyruam të dilnim publikisht pasi ata po refuzojnë të pranojnë të dhënat e reja”, tha Jose Jimenez, një kimist në universitetin e Kolorados dhe nënshkruesi i letrës. Megjithatë, organizata paralajmëron se të dhënat janë paraprake dhe se kërkohen studime të mëtejshme.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos