Pagesat e koncesioneve, 14.4 mld lekë nga buxheti, nuk përfshihet shërbimi i ri për karburantet

Nga A2 CNN
5 Mars 2021, 14:39 | Aktualitet

Këtë vit, pagesat për koncensionet nga buxheti i shtetit do të dyfishohen. Sipas të dhënave të Programit Afatmesëm Buxhetor 2021-2023, publikuar nga Ministria e Financave, për këtë vit janë parashikuar që të paguhen rreth 14.4 miliardë lekë nga 7.8 miliardë lekë që u paguan vitin e kaluar. Ashtu siç duket edhe nga tabela, pagesat për kontratat koncensionare pritet të rriten në dy vitet në vijim, për të kapur nivelin e rreth 15.3 miliardë lekëve në dy vitet e ardhshme. Nga buxheti i shtetit paguhen aktualisht 13 kontrata koncensionare apo të Partneritetit Publik Privat, të cilat janë aktive. Gjashtë kontrata, ku përfshihen ato të inceneratorëve dhe rrugëve janë në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës. Kontrata e skanimit në dogana është në varësi të Ministrisë së Financave, 4 koncesione janë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, kontrata për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në Bashkinë e Tiranës është në varësi të kësaj të fundit dhe Ministrisë së Arsimit, ndërsa kontrata për ndërtimin e inceneratorit në kryeqytet është në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Bashkisë së Tiranës. Por vlen të theksohet se në këtë listë nuk është përfshirë shërbimi i ri që qeveria ka dhënë me vendim të datës 24 dhjetor 2020 për monitorimin e vëllimit të transaksioneve në sektorin e hidrokarbureve. Sipas këtij vendimi, tri kompani që do të përzgjidhen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe tatimet, do të monitorojnë qarkullimin e transaksioneve në këtë treg. Shoqëritë e tregtimit të karburanteve do të detyrohen ta blejnë këtë sistem të ri monitorimi kundrejt pagesës. Koncesioni parashikohet të ketë një vlerë prej 100 milionë eurosh dhe do të zgjasë 10 vite. Opozita e konsideron këtë koncesionin e radhës dhe ka bërë padi në SPAK, ndërsa qeveria pretendon se është një proces licencimi në kuadër të digjitalizimit të shërbimeve dhe jo një PPP. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos