95-vjetori i Dritëro Agollit, një festë e fjalës shqipe që bashkon brezat

Nga Mario Brakaj
15 Nëntor 2026, 14:23 | Kulturë

Në 95-vjetorin e lindjes së shkrimtarit të madh Dritëro Agolli, Tirana u bë pjesë e një takimi të veçantë kulturor, ku fjala, kujtimi, arti dhe dashuria për letërsinë bashkuan breza të ndryshëm, në nderim të një prej personaliteteve më të shquara të kulturës shqiptare.

Me vargjet kuptimplota të Dritëroit, “Fiton ai që s’mban për vete asgjë, bile as dritën, por njerëzve ua jep në jetë ashtu si dielli dritën”, u përcoll mesazhi i një krijimtarie që nuk ishte vetëm art, por edhe një filozofi e të jetuarit: të japësh nga vetja, të ndash me të tjerët, të afrohesh me njerëzit dhe të lësh pas dritë përmes fjalës.

Dritëro Agolli ishte një nga ata shkrimtarë të rrallë që arriti ta bëjë të pavdekshme të zakonshmen. Ai gjeti poezi në jetën e përditshme, në fjalën e urtë të njeriut të thjeshtë, në kujtimet e fëmijërisë, në dashuri, mall, dhimbje e shpresë. Në krijimtarinë e tij, madhështia e poetit bashkëjeton me thjeshtësinë e njeriut, duke e bërë veprën e tij të afërt dhe të dashur për çdo brez.

Takimi përkujtimor, i organizuar në Tiranë me rastin e 95-vjetorit të lindjes së shkrimtarit, solli së bashku njerëz të profesioneve dhe rrugëtimeve të ndryshme, të bashkuar nga një emër, një vepër dhe kujtime që vazhdojnë të jetojnë. Secili mbart Dritëroin e vet: në një libër të dashur, në një poezi që nuk harrohet, në një varg që rikthehet në mendje sa herë jeta kërkon pak më shumë dritë.

Në qendër të kësaj nisme qëndron edhe misioni i Fondacionit Kulturor “Dritëro Agolli”, i cili përmes projektit “Roots & Rhythms” synon ta bëjë trashëgiminë e shkrimtarit një pjesë të gjallë të kulturës së sotme. Projekti ndërton një urë mes rrënjëve dhe ritmeve të kohës: mes gjuhës, vendlindjes, kujtesës dhe botës njerëzore që frymëzoi Dritëroin, nga njëra anë, dhe muzikës, skenës, artistëve e zërave të rinj, nga ana tjetër.

Sepse ta ruash Dritëro Agollin nuk do të thotë vetëm të kujtosh datën e lindjes apo të rilexosh veprat e tij, por të bësh që fjala e tij të vazhdojë të jetojë, të frymëzojë dhe të gjejë lexues të rinj. Është një trashëgimi që nuk i përket vetëm së kaluarës, por edhe së ardhmes së letërsisë dhe identitetit tonë kulturor.

Në këtë përvjetor, Fondacioni Kulturor “Dritëro Agolli” shprehu mirënjohjen për Bashkinë e Tiranës, Shtëpinë-Studio Agolli, Muse-X, artistët dhe të gjithë bashkëpunëtorët që kontribuojnë në ruajtjen, promovimin dhe përcjelljen e kësaj pasurie të çmuar kulturore.

95 vite pas lindjes, Dritëro Agolli mbetet një zë që nuk plaket, një poet që vazhdon të na flasë me gjuhën e shpirtit dhe një dritë që, ashtu siç shkroi vetë, fiton pikërisht sepse nuk mbahet për vete, por ndahet me të gjithë.

Mbrëmja përkujtimore nisi me një performancë baleti nga fëmijët, të veshur me të bardha, të cilët përmes një koreografie të frymëzuar nga baleti klasik sollën në skenë delikatesën, bukurinë dhe gjuhën universale të artit. Një hapje plot hijeshi, që i dha aktivitetit atmosferën e një feste të vërtetë të kulturës.

Më pas, fjala poetike e Dritëro Agollit mori jetë përmes interpretimit të poezive nga aktoret e njohur Luiza Xhuvani dhe Vasjan Lami , ndërsa vargjet e tij u ndërthurën me muzikën, në një ndërthurje të veçantë mes letërsisë dhe këngës, përmes kompozimeve të Gjergj Kaçinarit.

Emocionet arritën kulmin kur në skenë erdhën poezitë e njohura të kthyera në këngë, si “Kur të jesh mërzitur shumë”,  “Këtu s'do jem”, dhe të tjera krijime të dashura për publikun. Meloditë dhe vargjet u pritën me entuziazëm nga të pranishmit, të cilët iu bashkuan artistëve duke kënduar së bashku, në një moment që e ktheu audiencën nga spektatore në pjesë të vetë performancës.

Mbrëmja vijoi me një tjetër koreografi të fëmijëve, këtë herë të veshur me të kuqe, duke i dhënë skenës ngjyra, ritëm dhe gjallëri, si në një spektakël ku poezia, baleti dhe muzika u bënë një. Ishte një ndërthurje artistike që dëshmoi se Dritëro Agolli nuk jeton vetëm në faqet e librave, por edhe në këngë, në skenë, në emocionet e publikut dhe në zërat e brezit të ri. Mesazhi më i bukur i kësaj mbrëmjeje ishte se Dritëroi vazhdon të jetë i pranishëm, jo vetëm përmes kujtimit, por përmes artit që frymëzon dhe bashkon. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos