Shtrenjtim çmimesh, humbje të aftësisë konkurruese dhe zgjerim të informalitetit...Janë këto disa nga efektet negative që pritet të godasin turizmin sipas aktorëve të tregut pas rritjes pas gati një dekade të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 6 në 10 për qind në akomodim.
Zak Topuzi, kryetar i shoqatës së Hoteleri-Turizmit, shprehet: “Vendimi për rritjen e TVSH-së në akomodim nga 6% në 10% është një goditje direkte ndaj konkurrueshmërisë së turizmit shqiptar në Ballkan”.
Kjo rritje po ndërmerret pa asnjë konsultim paraprak dhe pa një analizë të mirëfilltë ekonomike, në një moment kritik, kur sektori formal i turizmit po përballet me sfida të mbijetesës: Masa, e përfshirë në Paketën Fiskale 2027, prek një nga lehtësitë kryesore që iu dhanë sektorit në vitin 2017, kur ulja e TVSH-së në 6% u përdor si instrument për nxitjen e turizmit. Kjo në një kohë që sektori vuan nga rënia e euros.
“Zhvlerësimi i euros me mbi 40% këto katër vitet e fundit. Turizmi është një nga shtyllat kryesore ekonomike të vendit, kur ndërtimi fillon ta ndiejë krizën. Ushqen qindra mijë familje. Të gjitha palët duhet të tregojnë pjekuri për të mbrojtur interesin ekonomik kombëtar”, shprehet Topuzi.
Në këtë ekuacion, pjesë tashmë janë edhe protestat të cilat po japin efekte edhe në turizëm.
“Situata me protesta është një tjetër moment kritik që do të ndikojë negativisht në industrinë turistike gjatë vitit 2027. Kërkohet maturi politike dhe institucionale. Turizmi nuk mund të mbajë mbi shpatulla faturën e betejave politike. Investitorët dhe partnerët ndërkombëtarë duan qetësi e siguri", vijon Topuzi.
Operatorët paralajmërojnë se goditja e trefishtë rrezikon konkurrueshmërinë e Shqipërisë, e cila deri tani ka tërhequr turistët kryesisht për çmimet e ulëta dhe “namin e mirë.” (A2 Televizion)